AlbanianSport.com 14/10/2018 21:05
ASNN – Është mbyllur që në duelin e parë, atë çerekfinal, aventura e boksieres kuqezi, Elsidita Selaj, në Lojërat Olimpike Rinore, që po mbahen në kryeqytetin e Argjentinës, Buenos Aires.
Sportistja 18-vjeçare ka garuar në kategorinë e peshës së mesme (69-75 kg), aty ku kanë garuar 7 sportiste. Me pak fat, ajo mund të kishte shkuar drejt e në gjysmëfinale, pasi njëra prej tyre është favorizuar nga shorti.
Nuk ka ndodhur kështu me nënkampionen e Evropës për Nën-18-vjeçaret, e cila është përballur me francezen Talja Brilò, me të cilën është mundur me vendim me pikë , me rezultatin 5-0.
Në fakt, boksierja franceze ka dominuar, duke marrë pikët maksimale, 30-27, nga 4 gjyqtarë, ndërsa i 5-ti e ka dhënë 29-28, po në favor të Brilòsë, duke vulosur kështu humbjen e boksieres shqiptare.
Ndeshja e boksieres shqiptare është zhvilluar në ora 18:00 me orën e Tiranës (13:00), me orën e Buenos Airesit), kurse në ora 23:00, do të ngjitet në ring boksieri tjetër, Muhamet Qamili, i cili do të përballet me argjentinasin Mirko Jahiel Kuelo.