AlbanianSport.com 13/10/2018 13:25
ASNN – Një nga legjendat e futbollit argjentinas dhe atij botëror, Diego Armando Maradona, i është turrur keqas Lionel Mesit, duke e kritikuar se nuk e konsideron një lider. Këto kritika Maradona i bëri në një mënyrë të moderuar, pasi ai vetë tha se ishte e vështirë të kritikonte një futbollist të cilin e donte shumë dhe është një lojtar i madh. Por Maradona pranoi, sipas këndvështrimit të tij, se Leo Mesi nuk bën për lider dhe për këtë përmendi dy “argumente”.
Bëhet fjalë për lojën “play-station” para se të nisë ndeshja apo në kohën kur i duhet të flasë me lojtarët, si dhe vajtja orë e çast në në banjë, një veprim që, sipas Maradonës, është i paburrë. Me pak fjalë, Maradona thotë se sjelljet e Mesit janë të papërshtatshme e jo më prej një lideri. Sipas autorit të të mbiquajturit “Dora e Zotit”, Lionel Mesi nuk duhet të jetë kapiten i Barcelonës dhe as i Argjentinës. Duke folur për emisionin “La Ultima Palabra” (Fjala e fundit) në televizionin meksikan, Maradona foli pa doreza.
“Ai kërkon të jetë lider në fushë, por para se të flasë me bashkëlojtarët e tij, ai shkon dhe luan “PlayStation”, – ka thënë legjendari argjentianas. – Për mua, është e vështirë të flas, por është e pakuptimtë ta bësh kapiten një futbollist i cili shkon 20 herë në tualet. Mesi është Mesi me Barcelonën dhe por nuk është Mesi me Argjentinën. Unë nuk do e zgjidhja Mesin, por kurrë nuk duhet të thuash kurrë. Është e nevojshme që atij t’i largohet presioni.”
“Është e nevojshme t’i largohet pozita e liderit, pasi ne duam që ai të jetë Mesi në fushën e lojës, – ka vijuar Maradona. – Të jesh lider në ekip kërkohen ca cilësi që ai nuk i ka treguar deri tani”. Me siguri që ky qëndrim i tij do të shkaktojë debate të forta në shtypin sportiv dhe jo vetëm, pasi Mesi konsiderohet një lojtar i paprekshëm jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj. Rreth tij është krijuar një “perde” që e mbron nga kritikat, por Maradonës i pëlqen t’i thyejë rregullat dhe nuk kursehet as kur është fjala për Mesin, një rival për më të mirin në histori.