AlbanianSport.com 13/10/2018 10:40
ASNN – Sulmuesi i Kombëtares së Egjiptit dhe njëherësh yll i sulmit të Liverpulit, Mohamed Salah, ka pësuar një dëmtim në minutën e 88-të në ndeshjen e zhvilluar mes Egjiptit dhe Svazilendit, në kuadër të Grupit J të Eliminatoreve të Kupën së Kombeve të Afrikës.
Ishte pikërisht Mohamed Salah i cili u shndërrua në yllin e mbrëmjes në këtë ndeshje, sepse shënoi një supergol nga goditja e këndit, që ishte goli i katërt dhe i fundit për Kombëtaren e Egjiptit në fitoren 4-1 ndaj përfaqësueses së vendit të vogël brenda Afrikës së Jugut.
Ky ishte goli i parë për Salahut, pas katër ndeshjeve “shterpësi”. Ndihmëstrajneri i Egjiptit ka thënë se Salah ka pësuar tërheqje të muskulit dhe pritet t’u nënshtrohet testeve të tjera mjekësore për të zbuluar problemin. Për momentin, si përfaqësuesja egjiptiane, ashtu dhe klubi i Liverpulit janë në alarm.
Dihet roli dhe pesha që ka Salahu në këto dy skuadra, prandaj me të drejtë stafi mjekësor i Egjiptit ka kërkuar testime të specializuara për dëmtimin, ndërsa Liverpuli po ndjek me vëmendje situatën. Mediat britanike e kanë vendosur në ballinën e tyre këtë lajm.