AlbanianSport.com 12/10/2018 16:10
ASNN – Premtimi i fillimsezonit ishte i madh, por realiteti ka rezultat më i ashpër nga ç’pritej për trajnerin e ri, Blendi Shkëmbi, dhe Teutën e tij, që tanimë ndan vendin e 5-të dhe të 6-të me Flamurtarin, me nga 11 pikë secila. Por golat e shënuar, vetëm 6 në 8 javë, përkundër 7 të pësuar, kanë dëshmuar për shterpësi në repartin e avancuar.
Sulmi është në dorën e Latifit, por ende punohet që rrjetën ta gjejnë dhe lojtarët e tjerë, të tillë si Progni apo edhe Kruja që fitoi disa minuta kundër krutanëve. Një pushim dyjavor do t’u shërbejë bregdetarëve për të riqartësuar idetë e krijimit të një formacioni stabël.
Në javët e para të kampionatit skuadra u paraqit thuajse e njëjtë, por që më pas pësoi ndryshime dhe skuadra pati një rënie. Trajneri ka kërkuar vazhdimisht përkushtim maksimal të lojtarëve të tij, duke mos toleruar asnjë gabim, madje as edhe në seancat stërvitore.
“Djemtë e detit” vijojnë përgatitjet intensive, edhe pse me mungesën e Kallakut (të grumbulluar nga Shpresat), por edhe Hakajt që ka shfaqur shqetësime pas ndeshjes me Kastriotin (çka kushtëzoi edhe trajnerin e Shpresave, Alban Bushin, që ta mbante jashtë listës kuqezi), stafi teknik ka shtuar dozën e ngarkesave.
E gjithë vëmendja tashmë është përqendruar te Laçi, javë që përmbyll edhe fazën e parë. Statistikat përballë këtij kundërshtari nuk i kanë aspak në favor, por të besuarit e Bledi Shkëmbit ende nuk kanë hequr dorë nga zona “Evropiane”, ndaj do të tentojnë që t’ia dalin ndaj kurbinasve fundjavën e ardhshme.