AlbanianSport.com 12/10/2018 13:25
ASNN – Ardian Mema përflitet se do të zërë vendin e brazilianit Ze Maria që u largua përfundimisht nga drejtimi i bardhebluve. Kështu, një pinjoll i familjes së madhe futbollistike Mema, do të marrë drejtimin e 24-herë kampionëve të Shqipërisë. Me pak fjalë, Tirana e ka tashmë trajnerin e ri të saj dhe ai është një “tirons 24-karat”.
Informacioni për largimin e Ardian Memës u konfirmua nga profili zyrtar i klubit të Flamurtarit në rrjetin social, “Facebook”, ndërkohë që prezantimi i tij si trajner i Tiranës, pritet të bëhet gjatë ditës së premte. Ka qenë vetë Mema, ai i cili ka kërkuar që të largohet nga kuqezinjtë, për të marrë drejtimin e bardhebluve, gjë të cilën kryesia e klubit e ka miratuar.
“Klubi njofton mbylljen e bashkëpunimit me trajnerin e dytë Ardian Mema. Flamurtari FC dhe Ardian Mema kanë vendosur të ndërpresin me mirëkuptim marrëveshjen mes palëve. Duke e falënderuar për bashkëpunimin, Flamurtari FC i uron suksese në karrierën e tij si trajner”, – shkruan klubi vlonjat në postimin e tij në “Facebook”.