AlbanianSport.com 12/10/2018 12:30
ASNN – UEFA po e vlerëson maksimalisht Ligën e Kombeve. Në fillim konsiderohej një veprimtari sa për të “eliminuar” ndeshjet miqësore dhe për të rritur imazhin dhe të drejtën e përfitimit financiar që vjen nga transmetimi televiziv. Formula e re e ndarjes së kombëtareve në katër liga dhe me disa grupe është vënë në pikëpyetje nga shumë specialistë, që mendojnë se është një veprimtari sportive “kot më kot”.
Por, për ta bërë të besueshëm projektin e tij, organizmi që qeveris futbollin kontinental vendoi të shtojë të ardhurat për pjesëmarrësit, fituesit në grupe dhe njëherësh për skuadrat që shkojnë në fazën finale. Kështu, në Ligën C ku bën pjesë Shqipëria, pjesëmarrja ishte 750 mijë Euro, por UEFA i ka shtuar një shumë prej 375 mijë Euro, duke e çuar fitimin nga pjesëmarrja në 1.125 milionë Euro.
Kosova që ndodhet në Ligën D, nga 500 mijë Euro, pjesëmarrjes i shtohen 250 mijë dhe tani përfiton 750 mijë Euro. Sa i takon dy ligave elitare, fitimet janë më të mëdha. Kjo pasi skuadrat e Ligës A, përfitojnë nga 1.5 në 2.25 milionë Euro. Kurse skuadrat e Ligës B nga 1 milionë do të fitojnë 1.5 milionë Euro vetëm nga pjesëmarrja.
Ndërkohë, për çdo fitore në fazën e grupeve, në Ligën C ku bën pjesë Shqipëria, UEFA i shtoi shifrës së mëparshme prej 750 mijë Euro edhe 375 mijë Euro, duke e çuar në 1.125 milionë Euro. E thënë ndryshe, Shqipëria ka fituar deri tani 2.250 milionë Euro në Ligën e Kombeve. Edhe në Ligën D ku ndodhet Kosova, shifrës prej 500 mijë Eurosh për fitore i shtohet 250 mijë Euro.
Kështu që një fitore tani për Kosovën kushton 750 mijë Euro. Kosova që ka marrë dy fitore në Ligën D, ka siguruar 1.5 milionë Euro përvec fitimit nga pjesëmarrja. Ndërkohë, është parashikuar që fituesit në fazën finale të Ligës së Kombeve, të shpërblehen akoma më shumë. Vendi i parë, nga 4.5 milionë Euro që ishte shpërblimi, do të fitojë tanimë 6 milionë Euro.
Vendi i dytë, nga 3.5 do të përfitojë 4.5 milionë Euro, vendi i tretë, nga 2.5 do të fitojë 3.5 milionë Euro dhe vendi i katërt, nga 1.5 do të fitojë 2.5 milionë Euro. Shihet qartë nga llogaritë se UEFA ka rritur kuotat e shpërblimeve me 50% dhe e bën këtë për të rritur interesin ndaj aktivitetit dhe për ta bërë atë të besueshëm e të ndjekur, pra që skuadrat anëtare t’i kushtojnë më shumë vëmendje.
Nëse Shqipëria shkon në fazën finale, atëherë mund të fitojë deri në 10 milionë Euro, një shumë e majme për federatën shqiptare, e cila ka arsye ta vlerësojë si duhet këtë veprimtari.