AlbanianSport.com 10/10/2018 17:45
ASNN – Të enjten në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet do të luhet ndeshja zyrtare eliminatore e Kombëtares kuqezi të Nën-21-vjeçarëve ndaj bashkëmoshatarëve të Spanjës, e parafundit kjo për ndeshjet në grupe. Gjatë këtyre ditëve skuadra ka zhvilluar seancat stërvitore, teksa përballë nesër do të ketë një kundërshtar shumë të vështirë, dhe që është kryesues i grupit, sikundër edhe Spanja. Përpara gazetarëve, trajneri i skuadrës, Alban Bushi, për këtë ballafaqim, theksoi: “I vlerësojmë maksimalisht këto dy sfida. Kemi punuar gjatë këtyre ditëve.”
“Spanjën e njohim, dhe dihet për potencialet e saj në sulm, – ka vijuar ai. – Për ndeshjen e nesërme kemi vendosur në momentet e volitshme të sulmojmë, por duke patur shumë kujdes prapa, pasi dihen edhe cilësitë e skuadrës spanjolle, e cila menjëherë kalon në sulm. Jemi munduar të bëjmë modifikimet e duhura në aspektin mbrojtës. Problemi i mbrojtjes është një çështje që vijon të mbetet shqetësuese. Dhe nuk është vetëm problem për ekipin kombëtar të Nën-21-vjeçarëve, por edhe për ekipin e parë. Sidoqoftë kemi marrë masat e duhura në mënyrë që të përballojmë sa më mirë një kundërshtar të fortë si Spanja.”
“Jemi të prirur që këto dy ndeshje të fundit eliminatore, të bëjmë më të mirën tonë, dhe të marrim maksimumin e mundshëm, – ka theksuar ish-futbollisti i Kombëtares kuqezi, tanimë trajner i Shpresave. – Gjithmonë duke treguar kujdes dhe duke patur përqendrimin e duhur deri në fund të takimit.” Ndërkaq, nga ana e tij edhe kapiteni Kejdi Bare e vlerësoi këtë ndeshje, duke besuar për një paraqitje shumë të mirë të skuadrës nesër, edhe pse përballë do të jetë Spanja: “Njohim forcën e kundështarit, por edhe ne do të bëjmë më të mirën tonë në këtë takim.”
“Kemi punuar gjatë këtyre ditëve me trajnerin dhe skuadrën. Besojmë në një prezantim shumë të mirë të ekipit, jo vetëm në ndeshjen me Spanjën, por edhe në atë me Estoninë. Por fillimisht, shohim Spanjën, dhe jemi aty të fokusuar”,- theksoi kapiteni Bare. Takimi midis Shpresave dhe Nën-21-vjeçarëve të Spanjës do të zhvillohet ditën e enjte, duke nisur nga ora 19:00, në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport.