AlbanianSport.com 09/10/2018 15:20
ASNN – Të hënën në mbrëmje me orën e Tiranës, kanë garuar dy sportistët e parë kuqezi në Lojërat Olimpike Rinore, që po zhvillohen në Argjentinë. E para që garuar ka qenë notarja shqiptaro-amerikane, Kejti Rok, ndërsa pas saj është ngjitur në pedanë peshëngritësi Antonino Luli. Shqipëria po merr pjesë për të 3-të herë radhazi në Lojërat Olimpike Rinore, që kanë nisur më 6 tetor më kryeqytetin e Argjentinës, Buenos Aires dhe të hënën në mbrëmje me orën e Tiranës, kanë garuar dy sportistët e parë kuqezi.
E para që garuar ka qenë notarja shqiptaro-amerikane, Kejti Rok, e cila ka konkurruar në 200 m flutur, duke u renditur e fundit në baterinë e saj kualifikuese. Ishte një paraqitje që la shumë për dëshiruar kjo e notares 15-vjeçare, e cila, me kohën 2 minuta, 33 sekonda e 6 të qindtat ishte plot 20 sekonda e 65-të qindtat prapa vendit të parë, duke marrë 504 pikë të FINA-s, një vlerësim ky shumë i dobët krahasur edhe me një numër notarësh të rinj shqiptarë që garojnë në Shqipëri apo në diasporë.
Ndërkaq, peshëngritësi Antonino Luli ishte sportisti i dytë që garoi të hënën në mbrëmje. Shtangisti kuqezi konkurroi në kategorinë e peshës trupore deri në 62 kg dhe u rendit ne vendin e 9-te nga 14 garues. Peshëngritësi kuqezi ngriti 95 kg në provën e parë, duke dështuar në dy të tjerat në stilin e shkëputjes, ndërsa ngriti përkatësisht 115, 120 dhe 125kg në shtytje, duke e mbyllur me 220 kg në dyjarësh. Përveç këtyre sportistëve, Shqipëria do të konkurrojë në këto Lojëra Olimpike Rinore edhe me dy boksierë dhe një atlete.