AlbanianSport.com 08/10/2018 16:00
ASNN – Duket se dëmtimet nuk po i ndahen ekipit kombëtar të futbollit të Nën-21-vjeçarëve, që njihet ndryshe si Shpresat. Trajneri kuqezi, Alban Bushi, ka thërritur së fundmi në grumbullimin të ekipit për këto dy sfida eliminatore zyrtare, lojtarin Ardit Toli që aktivizohet në radhët e skuadrës Kisamikos në Greqi. Kjo thërritje vjen pas një tjetër dëmtimi, atij të futbollistit të Teutës, Esin Hakaj, i cili ka probleme fizike.
Kësisoj, ai nuk mund të jetë në dispozicion të skuadrës dhe trajnerit për këto dy ndeshje. Interesant është edhe fakti se vetëm pak orë pasi kishte shpallur listën e tij më 5 tetor 2018, Bushi u detyrua të thërrasë një tjetër futbollist zëvendësues. Në mbrëmjen e asaj dite që u shpall lista për dy sfidat e fundit eliminatore është mësuar se trajneri i ekipit kombëtar të Nën-21-vjeçarëve ka thërritur për të qenë në dispozicion të skuadrës, mesfushorin që luan në radhët e Leishoes në Portugali, Agim Zeka.
Kjo ftesë e orëve të fundit ka ardhur për shkak të mungesës së futbollistit Kristal Abazaj të Anderlehtit, i cili për arsye dëmtimi nuk mund të jetë pranë skuadrës për dy ndeshjet zyrtare eliminatore, me Spanjën dhe Estoninë. Pak orë më parë trajneri Bushi është vënë në dijeni për këtë dëmtim të lojtarit dhe ka vendosur menjëherë të thërrasë Agim Zekën.
Kuqezinjtë Nën-21-vjeçarë, do të luajnë më datë 11 tetor, ora 19:00 kundër bashkëmoshatarëve të Spanjës, ndeshje kjo që do të zhvillohet në Stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë. Në ndeshjen e dytë të vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian 2019, skuadra nën drejtimin e trajnerit Alban Bushi do të luajë në fushë të huaj, ndaj Estonisë, më 16 tetor, ora 18:00.