AlbanianSport.com 07/10/2018 22:40
ASNN – Niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj, që njihet si Superliga, ka mbyllur të dielën ndeshjet e javës së tij të parë, duke dhënë sinjale të përziera sa u përket pritshmërive të ekipeve.
Kështu, në takimin e parë, të zhvilluar të premten në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet, kampionia në fuqi, Tirana, së cilës i janë larguar disa lojtarë, ka vuajtur, por, në fund ia ka dalë të mposhtë Kamzën me rezultatin e ngushtë 76-74.
Një surprizë më vete ka qenë takimi i së shtunës, midis Partizanit dhe finalistes së mundur të sezonit të shkuar, Teutës, i zhvilluar në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, i cili ka qenë i luftuar deri në fund.
Ndonëse Partizani ka kryesuar në 10-minutëshin e parë, deri në 7 pikë epërsi, Teuta ka reaguar, duke dominuar në dy 10-minutëshët që vijuan dhe duke krijuar idenë e një fitoreje të lehtë të durrsakëve.
Por të kuqtë kryeqytetas, duke përfituar nga vetëkënaqja e Teutës, ka luftuar dhe besuar deri në fund, duke e fituar ndeshjen me 3 pikë epërsi, 65-62. Ndërkaq, në takimin e fundit, të luajtur të dielën, Goga Basket ka fituar në Shkodër ndaj Vllaznisë.
Pavarsisht rezultatit 87-62, fitorja nuk ka qenë aq e lehtë për skuadrën durrsake, pasi, përtej largimeve dhe faktit se Vllaznia drejtohet nga dy lojtarët Ervin Bërdica dhe Fation Taraboshi, ka luftuar, majde duke e fituar gjysmën e parë të takimit 40-35.
Por Goga Basket, e drejtuar nga trajneri Nikola Milatoviç, ka bërë diferencën në gjysmën e dytë, duke e kufizuar skuadrën shkodrane në vetëm 22 pikë e duke shënuar vetë plot 52 në 20 minutat e fundit e duke e fituar ndeshjen 87-62.
Kjo fitore ka bërë që skuadra durrsake të kryesojë pas javës së parë, me një pikaverazh më të mirë sesa Partizani dhe Tirana, me të cilën Goga Basket do të përballet në javën e dytë në shtëpinë e saj në Xhafzotaj. Partizani do të përballet në Bathore me Kamza Basket, kurse Teuta pret në Durrës Vllazninë.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Superliga
Java e parë:
5 tetor 2018:
Tirana – Kamza Basket 76-74
Salla Sportive “Fahrie Hoti”, Tiranë
6 tetor 2018:
Partizani – Teuta 65-62
Pallati i Sportit “Asllan Rusi”, Tiranë
7 tetor 2018:
Vllaznia – Goga Basket 62-87
Pallati i Sportit “Qazim Dervishi”, Shkodër