AlbanianSport.com 05/10/2018 18:35
ASNN – Kemi dëgjuar të gjithë se të kryesosh me shifrat 2-0 nuk të ofron asnjëlloj sigurie për fitoren. Pëson gol, humb përqendrimin dhe, përpara se ta marrësh vesh, rezultati është barazuar në 2-2 dhe është kundërshtari që ka iniciativën. Por një epërsi në shifrat 7-2 nuk mund të cilësohet kurrsesi si e rrezikshme. Skuadra e të rinjve të Naniton Borous ka dëshmuar se edhe kur udhëheq rezultatin me 5 gola epërsi dhe kanë mbetur edhe 33 minuta për t’u luajtur, duhet të bësh kujdes nga përmbysja.
Sepse, në një përmbysje të jashtëzakonshme në takimin e dytë eliminator të Kupës së Anglisë për të rinj, Hejlzoueni kapërceu disavatazhin 1-4 në pushim të ndeshje, atë 2-7 pas një ore lojë dhe madje 6-8 në minutën e 85-të dhe 7-8 në shtesë, duke fituar 9-8 dhe duke u kualifikuar për më tej. Në prani të 83 tifozëve, skuadra vendase ka shënuar që në minutën e parë, duke vijuar të gjejë edhe 3 herë të tjera rrugën e rrjetës në 45 minutat e para, përkundër një gol të vetëm të miqve.
Marshimi i Naniton Borous vijoi me 3 gola të tjerë, të shënuar nga minuta e 49-të, deri në 57-ën, për t’i çuar shifrat në 7-2. Por në të 62-tën ka nisur reagimi i pabesueshëm i miqve, të cilët shënojnë më pas edhe dy herë në të 70-ën dhe një herë në të 80-tën, për t’i çuar shifrat në 6-7. Ndonëse vendasit shënojnë në të 83-ën, duke kryesuar 8-6, Hejlzoueni shënoi në minutën e 86-të, barazoi në të 92-ën dhe siguroi fitoren e pabesueshme në të 96-të minutë, duke shkruar kështu një kapitull më vete në historinë e futbollit.