AlbanianSport.com 03/10/2018 22:00
ASNN – Është konsideruar gjithmonë në këto sezonet e fundit si një nga skuadrat që do të rivalizojë për titull, por duket se këtë sezon, Vllaznia do ta nisë si mos më keq, madje pa trajner dhe do të jenë dy lojtarë drejtojnë skuadrën shkodrane të basketbollit. Kjo sepse aventura e Refik Vorfës në krye të stolit të Vllaznisë në basketboll për meshkuj duket se është mbyllur sapo ka nisur.
Kjo, pasi trajneri shkodran ka lënë shumë shpejt detyrën që iu ngarkua në fillim të verës. Pa mbështetje dhe pa parà, ai ka vendosur të largohet dhe të mos jetë në stol më 6 tetor 2018, kur do të nisë niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj. Ka qenë vetë trajneri ai që e ka konfirmuar një gjë të tillë për mediat lokale.
Vorfa mori drejtimin e skuadrës, duke “transferuar” Bledar Gjeçajn te femrat, por tashmë edhe vetë ai ka hapur krahun. Skuadrën e Vllaznisë sezonin e ri do ta drejtojnë dy lojtarë të saj, Ervin Bërdica dhe Fatjon Taraboshi, që do të bëjnë edhe detyrën e lojtarit edhe të trajnerit. Ata prej disa ditësh kanë nisur stërvitjen me skuadrën, e cila do të debutojë ndaj Goga Basket në javën e parë.