Gjergj Vyshka 21.11.2014 08:35
Mesfushori i majtë që nga e mërkura nuk është pranuar në seancat stërvitore deri në një vendim të dytë. Administratori Saliaj: “Për momentin nuk kemi marrë masë, do ta diskutojmë pas ndeshjes me Bylisin”. Nertil Ferraj, mesfushori i majtë i Dinamos i kthyer tek blutë në këtë treg të lëvizjeve të futbollistëve në verë, është jashtë 18-shes për ndeshjen e së dielës me Bylisin në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit. Dinamovitët edhe duke ditur rëndësinë e përballjes me ballshiotët, e cila ka vlerat e vazhdimit të kryesimit në grupin e Jugut, që konvertohet më pas me kalimin në Superiore pas tre vjetësh mungesë, nuk kanë dashur ta bëjë dramë.
Por ajo që ka ndodhur të martën në përfundim të stërvitjes, e cila ka qenë një debat mes ndihmëstrajnerit Olsi Uku dhe mesfushorit Nertil Ferraj, i ka kushtëzuar këtij të fundit mospranimin në seancën stërvitore të së mërkurës dhe të së enjtes. Sepse, të paktën edhe sipas futbollistit, trajneri Mehmeti i ka thënë që nuk mund të jetë në stërvitje derisa të merret një vendim nga klubi. “Thjesht debate me ndihmëstrajnerin, sepse ai nuk mund të më të thotë “ec or çun”, – ka thënë Ferraj. – Në fund të fundit, kështu nuk ka folur Faruk Sejdini me mua, që është më i madh në moshë se sa ai. Megjithatë unë nuk kam se çfarë të them.”
“Kam pritur që të më marrin në telefon dhe të më thonë, sepse unë nuk kisha se çfarë të sajoj”, – ka thënë futbollisti, që duket se është dhe drejt një divorci me blutë. “Nuk e di se si do të rrjedhin ngjarjet, ndoshta në janar do të kërkoj dhe ndonjë skuadër të Kategorisë Superiore për të vazhduar karrierën”, – ka deklaruar mesfushori. Ndërkohë administratori Ismet Saliaj ka pranuar që lojtari është lënë jashtë stërvitjes me skuadrën. “Dhe për rrjedhojë nuk do të jetë as në 18-she të ndeshjes me Bylisin, – ka sqaruar ai. – Ne kemi pasur një mbledhje me skuadrën dje, më tepër për t’i motivuar dhe për t’i karikuar për ndeshjen me Bylisin.”
“Nuk kemi diskutuar për çështjen e Ferrajt. E kemi lënë pas mbarimit të kësaj ndeshje, sepse është shumë e rëndësishme kjo sfidë me ballshiotët dhe nuk kemi pse të rëndojmë situatën tanimë. Kështu që me të do të merremi javën që vjen, duke shpresuar që të gjejmë gjuhën e mirëkuptimit dhe ai të kthehet normalisht në stërvitje, sepse është një forcë që i duhet skuadrës sonë”, – ka përfunduar Saliaj, ndërsa Dinamo, dashje pa dashje, do të jetë me forca mangët në përballje me ballshiotët.