AlbanianSport.com 02/10/2018 20:45
ASNN – Trajneri i skuadrës përfaqësuese të futbollit, Kristian Panuçi, ka shpallur sot listën e 25 lojtarëve që do të grumbullojë në vigjilje të dy ndeshjeve të radhës të ekipit kombëtar, fillimisht miqësoren me Jordaninë, të mërkurën e 10 tetorit në Stadiumin “Elbasan Arena”, dhe më pas takimin zyrtar eliminator me Izraelin në Biir Sheva, më datë 14 tetor 2018, sfidë kjo e vlefshme për Grupin C1 për Ligën e Kombeve.
Në këtë listë të trajnerit kuqezi bien në sy 4 futbollistë që vijnë për herë të parë në skuadrën kombëtare, siç janë mbrojtësi Egli Kaja, që aktivizohet në radhët e skocezëve të Livingstonit, Kastriot Dermaku, që luan në radhët e ekipit të Kozencës në Itali, si dhe dy sulmues të rinj, të cilët kanë marrë për herë të parë ftesën e trajnerit Panuçi për këto dy ndeshje.
I pari është ish-sulmuesi i Laçit, Myrto Uzuni, i cili që nga ky sezon luan në kampionatin kroat me Lokomotivën e Zagrebit, si dhe Xhakomo Vrioni, që vjen nga Venecia. Vijojnë ndërkaq të jenë të dëmtuar dhe në fazën e tyre të riaftësimit futbollistët Odise Roshi e Armando Sadiku, në një kohë që skuadrës i është bashkuar edhe Eros Grezda, i cili në grumbullimin e fundit, për probleme fizike nuk ishte në dispozicion të grupit.
Skuadra përfaqësuese kuqezi e futbollit do të nisë seancat stërvitore ditën e hënë në Durrës, ku dhe do të grumbullohet në vigjilje të këtyre dy ndeshjeve. Më poshtë do të mund të gjeni edhe listën e plotë të lojtarëve të grumbulluar për sfidën miqësore me Jordaninë dhe vizitën zyrtare në Izrael.