AlbanianSport.com 02/10/2018 19:50
ASNN – Veterani i Moto GP-së, Valentino Rosi, dhe skuadra e tij “Jamaha”, mund të përballen me një tjetër fundjavë të vështirë në Tajlandë. Alarmin e ka dhënë shoku i tij i skuadrës, Maverik Vinjales, i cili ka shpërthyer më në fund për ato që ndodhën në prapaskenë tek “Jamaha” në Çmimin e Madh të Spanjës në Aragon. Gjigandja japoneze nuk e njeh tanimë fitoren në 23 gara dhe motori i saj është goditur nga një sërë avarish.
Vinjalesi nuk shkoi dot më larg se vendi i 10-të në Spanjë, kur se Rosi bëri diçka më mirë, duke arritur të renditet i 8-ti. Por spanjolli 23-vjeçar, i cili kaloi tek “Jamaha” në 2017-ën, thotë se ai i trembet asaj që mund të ndodhë në garat e ardhshme. “Ne i kemi humbur të gjithë objektivat tonë dhe nuk e dimë më çfarë synojmë”, – tha ai. “Ndjesia që na jep motori është shumë e keqe, – vijoi Vinjalesi. – Tanimë kemi turin e garave aziatike, që unë shpresoj të mbarojë sa më shpejt.
“Por, të jem i sinqertë, motivimi është zero, edhe pritshmëritë po zero, – ka vijuar ai. – Kam punuar fort këtë fundjavë. Kam bërë 100 xhiro në teste në Aragon dhe po aq në Mizano, por duket se po shkojmë prapa në vend që të shkojmë përpara. Aragoni ishte gara ime më e keqe me “Jamahan”.” Është thënë se motori M1 ka patur probleme kryesisht me sistemin elektronik që ka të bëjë me përshpejtimin e xhirove të motorit. Por Vinjalesi këmbëngul se motori nuk vuan vetëm në një aspekt.
“Nuk mund të them se cili është saktësisht problemi, sepse çdo sektor po punon shumë keq dhe nuk ka një sektor të motorit që është në rregull, – vijoi piloti spanjoll i “Jamahas”. – Që të jem i sinqertë, edhe motorët e skuadrave tona kliente janë më të mirë se tanët.”