AlbanianSport.com 01/10/2018 19:20
ASNN – Eliminatoret e Kampionatit Evropian janë veprimtaria e radhës për kombëtaren shqiptare të futbollit të Nën-19-vjeçarëve. Trajneri Erjon Bogdani ka grumbulluar 23 lojtarë për këtë veprimtari që do të zhvillohet në Shqipëri. Përballë kuqezinjve të kësaj grupmoshe do të jenë Ukraina, Sllovakia dhe Norvegjia. Objektivi i skuadrës kuqezi, sipas Bogdanit, do të përcaktohet ndeshje pas ndeshje.
Kështu, Kombëtarja e Nën-19-vjeçarëve në futboll për meshkuj përgatitet të marrë pjesë në një turne mjaft të rëndësishëm, Eliminatoret e Kampionatit Evropian të kësaj grupmoshe. Takimet e grupit të kuqezinjve të vegjël do të zhvillohen në Shqipëri, në Durrës dhe në Kamëz. Ndërsa grumbullimi i futbollistëve Nën-19-vjeçarë, nën drejtimin e trajnerit Erjon Bogdani ka nisur në datën 1 tetor, për t’u mbyllur në 16 tetor 2018.
Datë kur edhe përfundon edhe kjo veprimtari ndërkombëtare. Por si ka shkuar ecuria e skuadrës së tij deri tani, gjithnjë duke parë lojën e paraqitur në ndeshjet e fundit miqësore. “Tashmë kemi hyrë në fazën e ndeshjeve zyrtare, për të tentuar pse jo kualifikimin në grup, – thotë ai. – Luajmë në vendin tonë dhe mundësitë janë që skuadra të arrijë objektivin maksimal.”
“Gjatë këtyre ditëve do të punojmë shumë fort, duke qenë shumë të përqëndruar te sfidat që kemi’, – shton trajneri kuqezi. Skuadra e Bogdanit do të luajë tri ndeshje në këto eliminatore me Ukrainën, Sllovakinë dhe Norvegjinë. Tre kundërshtarë tepër të vështirë, të cilët i pranon se i njeh, pasi i ka parë në miqësoret që kanë zhvilluar deri më tani.
“Njohim forcën dhe peshën e rivalëve, por kam besim te skuadra dhe reagimi i saj në fushë, tashmë kur përballë kemi ndeshjet zyrtare dhe për të cilën kemi punuar gjatë gjithë vitit me djemtë”, – thotë Bogdani. Ndërsa për objektivin në këto eliminatoret, ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare thotë se ai do të përcaktohet ndeshje pas ndeshje, në varësi të ecurisë.
“Kam bindjen që do të bëjmë shumë në ndeshjet e këtij turneu, por që nga dita e sotme do të nisim punën dhe përgatitjen intensive, duke qenë të fokusuar maksimalisht te sfidat që na presin”, – shton ish-sulmuesi. Në Kombëtaren shqiptare të Nën-19-vjeçarëve ka lojtarë të talentuar, por Bogdani pranon se ata nuk janë të gatshëm për të luajtur me kombëtaren A.
Ai thekson se udha e tyre duhet të vijë shkallë -shkallë, pra të kalojnë një herë edhe në kombëtaren e Nën-21-vjeçarëve e më pas të vijnë më tej. Që nga dita e sotme ekipi do të jetë i grumbulluar në në Durrës, ku do t’u nënshtrohet edhe seancave stërvitore të përditshme. Nga lista prej 23 futbollistësh, 14 lojtarë të Nën-19-vjeçarëve vijnë nga kampionatet e huaja dhe 9 futbollistë janë përzgjedhur nga kampionati vendas.