AlbanianSport.com 01/10/2018 18:25
ASNN – Duket paksa e pazakontë, por edhe vetë Sebastian Feteli e ka përligjur strategjinë e zgjedhur nga “Mercedes”-i në Çmimin e Madh të Rusisë, duke thënë se “nuk duhej shumë mend” për ta kuptuar vendimin e marrë nga skuadra rivale e Formulës 1 që Valteri Botas t’i hapte rrugë Ljuis Hemiltonit. Këtij të fundit iu dhurua fitorja në pistë e Soçit, kur “Mercedesi” e urdhëroi Botasin, që po i drejtohej fitores së tij të parë këtë sezon, që ta linte kryesuesin e renditjes së përgjithshme të pilotëve që të kalonte.
Fitorja e Hemiltonit, e ndërthurur me Botasin që e mbajti Fetelin prapa përgjatë pjesës tjetër të garës, nënkupton se gjermani tanimë është 50 pikë pas pilotit të “Mercedesit”, kur kanë mbetur edhe 5 xhiro deri në përfundim të sezonit. “Urime të dyve, pasi luajtën së bashku shumë mirë si skuadër, – deklaroi Feteli. – Unë e di që gazetarët pëlqejnë të na fusin në sherr me njëri-tjetrin, duke na bërë pyetje të vështira individualisht, por, duke parë pozitën në të cilën ndodheshin, nuk do shumë mend që të kuptosh atë që ata bënë sot.”
Hemiltoni korri fitoren e tij të 8-të këtë sezon dhe ai është vetëm dy fitore larg sigurimit të titullit “kampion”. Ndonëse janë 125 pikë ende në lojë, hendeku i krijuar midis britanikut dhe gjermanit është më i madhi këtë sezon, por piloti i “Ferrari”-t nuk pranon të dorëzohet. “Nuk kam qenë gjeni në matematikë, por ende besoj në shanset tona, – ka thënë ai. – Nëse ju më thoni që është mbyllur, unë mund t’ju them se nëse Hemiltoni nuk e mbyll dot një garë të vetme, atëherë gjithçka është e hapur, apo jo? Nuk është se ia dëshiroj Ljuisit një gjë të tillë, por kurrë nuk i dihet apo jo?” – ka përfunduar piloti gjerman i “Ferrarit” Sebastian Fetel.