AlbanianSport.com 01/10/2018 15:40
ASNN – Çmimi i Madh i Tajlandës do të zhvillohet në fundjavë dhe, sikundër i gjithë ky sezon, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Në fakt, kjo garë e 15-të e këtij sezoni të Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit përfaqëson një lundrim në ujëra të panjohura për të gjithë pilotët, pasi është hera e parë që ata do të garojnë në këtë pistë.
Pas një jave pushim, gara më e shpejtë mbi dy rrota në botë rikthehet në pistë dhe destinacioni i radhës është Tajlanda, e cila do të presë, për herë të parë, një garë të Moto GP-së. Çmimi i Madh i Tajlandës do të zhvillohet në fundjavë dhe, sikundër i gjithë ky sezon, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga provat zyrtare të shtunën dhe duke vijuar me garën të dielën.
Në fakt, kjo garë e 15-të e këtij sezoni të Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit përfaqëson një lundrim në ujëra të panjohura për të gjithë pilotët, pasi është hera e parë që ata do të garojnë në këtë pistë. Në fakt, që kur Çmimi i Madh i Tajlandës u përfshi në kalendarin e këtij sezoni, pilotët kanë zhvilluar herë pas here teste dhe xhiro prove, por dihet që gara është krejt ndryshe.
Me shumë të panjohura që ofron pista, me Horhe Lorencon në dyshim për shkak të një dëmtimi dhe me Mark Markezin që është shkëputur plot 72 pikë në krye të renditjes, gara tajlandeze ngjan më tepër me një mister, që pritet të zgjidhet në fundjavë. Testet e bëra ditët e fundit në këtë pistë tregojnë se “Honda” do të jetë e fortë në këtë pistë, pasi si Kal Kratçlou me LCR-në kliente, ashtu edhe Markezi dhe Dani Pedroza me “Repsolin” zyrtar, kanë dhënë kohët më të shpejta në këto teste.
Ndërsa “Dukati” ka qenë pak më prapa. Por, a po japin gjithçka pilotët dhe skuadrat në prova, apo po kursehen për të dhuruara të papritura. Kjo mbetet për t’u parë në fundjavë, kur Moto GP-ja të shkruajë historinë në pistën tajlandeze.