AlbanianSport.com 30/09/2018 18:00
ASNN – Besa ka fituar 2-0 me Bylisin në ndeshjen e fundit të grupit B, që mbylli javën e 4-t të të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Një ndeshje e fortë, sidomos në pjesën e parë, ku pati ekuilibër, me një epërsi të lehtë të miqve nga Ballshi, të cilët ishin më kërkues. Në minutat e para ka patur kontestime nga ana e të dyja skuadrave për disa raste të dyshimta. Si ishte ai në minutën e 13-të rrëzohet Kofi brenda zonës, i penguar nga Diksoni, por gjyqtari vazhdon lojën.
Tri minuta më pas, Bylis provon me Bajramaj, por gjuajtja e këtij të fundit përfundon jashtë. Në të 21-ën minutë reagon Besa. Goditje dënimi por asnjë prej lojtarëve vendas, por, as Çekiçi që ishte më i avancuar, nuk e arrijnë topin për të provuar portën. 6 minuta më pas, tjetër moment i vështirë në zonën e kavajsve. Biba ka tërhequr nga bluza Entoninë, që rrëzohet, por gjyqtari Alla vazhdon lojën. Në minutën e 33-të është Murataj që provon drejtpërdrejt portën me anë të një goditje dënimi.
Por topi kalon tokazi pranë shtyllës pingule dhe përfundon jashtë. Vijojnë dy momente të mira të Bylisit. Në të 35-ën është fillimisht Entoni që provon me të majtën, por portieri Miraka kupton, gjithçka duke shpëtuar Besën. Një minutë më vonë, miqtë sërish pranë golit, kur Bajramaj nuk gjuan si duhet brenda zonës dhe Mirakaj sërish bëhet shpëtimtari i portës së tij. Me rrjeta të paprekura ka përfunduar pjesa e parë. Në të dytën, është Besa që ka inisiativën.
Dhe në minutën e 55-të konkretizon duke shënuar. Një goditje këndi, e ekzekutuar nga Mihani dhe brenda zonës Mëllugja, i pambuluar, përfiton, duke shënuar. Në stol më i qetë trajneri Gentian Begeja për këtë fillim të mirë të Besës në këtë pjesë të dytë të lojës. Të dyja skuadrat duket se marrin zemër nga goli dhe fillojnë të sulmojnë dhe loja hapet. Në të 59-ën, është Shaliani që ndërhyn saktë ndaj Diksonit, duke shpëtuar kështu portën nga një gol i sigurt.
Dy minuta më pas është Mihani që gjuan fort në qendër por Bytyçi grushton në pozicion. Zefi ndëshkohet menjëherë me karton të kuq në stol që me fyerjet e tij vazhdon të irritojë tifozët e skuadrës vendase. Loja më e mirë e Besës në pjesën e dytë do të konkretizohej edhe me golin e dytë në të 82-ën minutë. Çekiçi kalon bukur nga e majta, shërben saktë për Thaçin brenda zonës, i cili gjuan saktë me kokë duke i çuar shifrat në 2-0.
Nuk mbyllet mirë ky takim, kur në përfundim dikush nga tifozët godet me shishe trajnerin e Besës, Begeja. Për të ardhur keq që këto episode vazhdojnë të jenë të pranishme në stadiumet shqiptare.