AlbanianSport.com 29/09/2018 22:20
ASNN – Vllaznia mbetet e vetmja skuadër të këto 4 javë të para që njeh vetëm fitore në Kategorinë e Parë, pasi shkodranët kanë triumfuar edhe të shtunën, duke mposhtur në Lezhë Besëlidhjen me një gol të vetëm. Në fakt, pjesa e parë do të flasë për Vllazninë dhe, pas vetëm 7 minutash lojë, Gurishta shpalos bagazhin e tij teknik dhe depërton në zonë dhe e kthen topin në qendër, ku Rodriges rrotullohet dhe godet, por mbi shtyllën horizontale të portës vendase.
Vllaznia mbetet aty dhe, 7 minuta më pas, Hajdari do të provojë me një goditje në hyrje të zonës, por pa e gjetur dot kuadratin. Besëlidhja është e paqartë në lojën e saj dhe Vllaznia e kufizon vetëm tek goditjet nga larg. Pjesa e parë do të rrjedhë e baraspeshuar, por në të 36-tën, Zeqaj ka një mundësi të artë për të shënuar, pas një harkimi të mirë të Hajdarit, po në qendër të zonës dhe me kohën e mjaftueshme, godet mbi shtyllën horizontale.
Me rrjeta të paprekura mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat nisin njëlloj, me shkodranët më kërkues. Dhe, në minutën e 53-të, Rodriges provon me një goditje brenda zonës, bllokohet dhe Vllaznia fiton goditje këndi. Pas ekzekutimit të saj, Rodriges korrigjon shënjestrën dhe godet me kokë, duke përshëndetur rrjetën. Kundërpërgjigjet Besëlidhja me një aksion të gjatë, por goditja 3 minuta më pas e Omer Kamarasë nuk është e saktë.
Vijon menjëherë një kundërsulm i shpejtë i Vllaznisë, Rodrigez pason për Ruqin që godet, por portieri i lezhjanëve grushton instinktivisht. Janë minuta të mira për shkodranët dhe Gurishta pason për Rodrigezin, që kontrollon mirë brenda zonës, por godet pasakëtisht me portierin e dalë dhe topi përfundon jashtë. Acarohet trajneri Hasan Lika. Braziliani shpërdoron sërish pak më vonë, me një goditje akrobatike brenda zone.
Përtej rasteve të ndërtuara dhe shpërdoruara prej saj dhe paaftësisë së Besëlidhjes për të reaguar, Vllaznia administron lojën dhe e fiton takimin 1-0, duke u shkëputur e vetme në krye të renditjes së grupit A, me 12 pikë, 3 më tepër sesa Dinamo e vendit të dytë.