AlbanianSport.com 29/09/2018 20:10
ASNN – Laçi ka marrë një fitore minimale, por mjaft të vyer, në sekondat e fundit të ndeshjes me Kamzën në fushën e kësaj të fundit, duke vijuar të jetë skuadra e vetme, së bashku me Skënderbeun, që nuk e njeh humbjen në këtë fillim sezoni të Kategorisë Superiore. Në fakt, takimi ka nisur me disa minuta vonesë në Stadiumin e Kamzës, sepse delegati i ndeshjes ka vërejtur se në tribunën VIP ka më shumë persona se sa e lejon rregullorja, duke qenë se luhej pa tifozë, pasi ekipi i Kamzës është dënuar nga Komisioni i Disiplinës.
Sikur të mos mjaftonte kjo, pas vetëm 14 minutash vjen një zëvendësim i detyruar për skuadrën e trajnerit Klodian Duro. Plaku lë fushën e lojës i dëmtuar, futet Niko Zisi për vendasit. Loja në fakt ka qenë e hapur, me raste për shënim nga të dyja skuadrat, raste që vijnë duke u shpeshtuar dhe duke u bërë më të rrezikshme, sidomos për Kamzën. Madje, 6 minuta para fundit të pjesës së parë, Martinena merr një top nga një goditje dënimi në të majtën, por goditja e tij me kokë lë shumë për të dëshiruar, edhe pse është shumë pranë portës, duke bërë më të vështirën.
Pavarsisht një minute shtesë, pjesa e parë mbyllet e bardhë, pa gola, ndërsa e dyta ka nisur mjaft mirë për ekipin vendas, që e synon më shpesh dhe më fort portën e kurbinasve. Në dy raste të njëpasnjëshme në minutat e para, fillimisht Fukui harkon në zonë, por as Martinena dhe as Zisi nuk mund të dërgojnë dot topin në rrjetë. Më pas, Zisi pason në zonë, por këtë herë Martinena dhe Fukui nuk godasin dot drejt portës. Kamza nuk arrin të përfitojë as nga një dalje aventureske e portierit mik, Selmani, ndërsa më pas do të vijojnë minuta të tëra me raste për të dy ekipet.
Por, herë për ngutje e paqartësi në finalizim e herë për meritë të mbrojtjeve dhe portierëve kundërshtarë, asnjëra nga skuadrat nuk arrijnë ta gjejnë rrugën e rrjetës. Në minutën e 76-të, vjen një nga goditje nga larg e Zisit, por qendrore dhe pa probleme për Selmanin. 5 minuta më pas, është sërish Niko Zisi, i cili provon nga jashtë zone, por topi kalon mbi traun e portës kurbinase. Kamza është fajtore për një numër rastesh të volitshme për shënim, por të shkuara dëm në 10-minutëshin e fundit dhe në 4 minutat shtesë.
Dhe, sikundër ndodh rëndom, ligji i pashkruar i futbollit që po nuk shënove, do të pësosh, e ka ndëshkuar skuadrën vendase. Në sekondat e fundit të lojës, Shtubina i kaloi kurbinasit në epërsi me një goditje të zgjuar kokë, pas një kundërsulmi të shpejtë, ku Hadroj krosoi harkoi saktësisht për shkodranin, i cili firmos kështu fitoren 1-0 të Laçit të trajnerit Artan Merxhushi.