AlbanianSport.com 28/09/2018 13:10
ASNN – Erblira Bici ka vijuar menjëherë të shpalosë potencialin e saj me skuadrën e re në Serinë A të volejbollit italian të femrave, duke spikatur me paraqitjen në ndeshjet miqësore që po i paraprijnë sezonit të ri. Janë disa ndeshje stërvitore që skuadra e Novarës ka zhvilluar këto dy-tri javët e fundit dhe loja e kapitenes së Kombëtares kuqezi të rrjetës ka ardhur në rritje.
Ka shkëlqyer në dy sezone të jashtëzakonshme në nivelin e dytë të Kampionatit Italian të Volejbollit për Femra, në Serinë A2, dhe nuk ka vonuar të tregojë se është e denjë edhe për nivelin më të lartë, aty ku ka firmosur një kontratë njëvjeçare me nënkampionen e Apenineve, Novarën. Dhe Erblira Bici ka vijuar menjëherë të shpalosë potencialin e saj me skuadrën e re, duke spikatur me paraqitjen në ndeshjet miqësore që po i paraprijnë sezonit të ri.
Në fakt, sfida që i paraqitet shqiptares në këtë ekip është mjaft e fortë, me një numër lojtaresh titullare të përfaqësueses italiane apo përfaqësueseve të vendeve të tjera, por duket se 23-vjeçarja nuk trembet. Janë disa ndeshje stërvitore që skuadra e Novarës ka zhvilluar këto dy-tri javët e fundit dhe loja e kapitenes së Kombëtares kuqezi të rrjetës ka ardhur në rritje. Së fundi, Bici ka qenë titullare për skuadrën e saj në fitoren 3-1 që Novara arriti ndaj skuadrës së sapongjitur në Serinë A2, Grand Kuneo Volejit.
Ajo ka luajtur në dy setet e para, duke shënuar plot 17 pikë, 4 më pak një më pak sesa shënuesja më e mirë e takimit, Zanini, dhe një më pak sesa Nizetiç. Natyrisht, trajneri Masimo Barbolini i shfrytëzoi 3 setet e para, të fituara nga skuadra e tij 25-22, 25-21 dhe 25-13, por edhe setin e 4-t, luajtur me mirëkuptimin e homologut të tij, për t’u dhënë mundësi të gjithë lojtareve të tij që të provojnë parketin.
Siç dihet, sezoni i ri i Serisë A1 të volejbollit të femrave në Itali nis në fundjavën e 27-28 tetorit, ndërsa më 10 nëntor 2018, skuadra e Bicit do të diskutojë Superkupën e Italisë me Imoko Volejin.