AlbanianSport.com 25/09/2018 19:25
ASNN – “Kam një admirim të madh për Horhenë, është një pilot shumë i mirë dhe mendoj se mund të ishte i vetmi tek “Dukati” që mund të synonte Botërorin e motorëve 2019, – ka deklaruar kampioni në fuqi i Moto GP-së, Mark Markez. – Është konsideratë personale. Dua t’i tregoj në fakt respektin që kam përpara se të flas për deklaratat e tij pas garës. Më ka akuzuar se isha unë shkaktari i rrëzimit të tij në kthesën e parë, duke më quajtur të rrezikshëm.”
“Por po të shikosh pamjet, gjithë këtë përgjegjësi që më ngarkohet mua nuk e shikoj askund, – ka vijuar ai në përgjigjje të akuzave të Lorencos. – E në fakt për këtë është i bindur edhe vetë Horheja, prandaj edhe zemërohet më shumë.” E kjo duket edhe në fjalët e këtij të fundit kur shprehet: “Vetëm ne të dy e dimë se çfarë ka ndodhur”. Majorkezi duke nënvizuar se çështja është personale. Mund edhe të kishte thënë ndonjë detaj më shumë për aksidentin, për atë çka nuk u pa në televizion.
Megjithëse nga pamjet televizive, në nisje të garës, të regjistruara nga shumë kamera duket se Lorenco ka gabuar vetë. U nis si shigjetë, ka frenuar me vonesë dhe ka humbur kontrollin e vijimësisë së veprimeve. Aty ka qenë edhe Markezi, i cili ka vijuar rrugën e tij, ndërsa Lorenco ka frenuar fort, duke fluturuar në pistë. Pra gjithçka flet se Lorenco ka gabuar vetë. Por Lorenco i pëlqen botës së motorëve, sepse është i kundërt me Markezin.