AlbanianSport.com 25/09/2018 17:15
ASNN – Natyrisht, të paktë janë ata që e ndjekin, e duan apo e shijojnë futbollin që të mos e mbajnë mend këtë gol të legjendarit Diego Armando Maradona, të shënuar në atë ditë të nxehtë vere në Meksikë më 1986-ën.
Jo më kot, ai gol i shënuar në fitoren e Argjentinës në Botëror kundër Anglisë, është cilësuar edhe si goli i shekullit. Por, 32 vjet më vonë, në Itali, një futbollist padyshim jo në lartësinë dhe madhështinë e Maradonës, ka shënuar një gol që nuk është shumë larg atij të realizuar nga legjenda argjentinase.
Zhervinjo, futbollisti i përfaqësueses së Bregut të Fildishtë që luan me Parmën në këtë sezon të Serisë A, ka realizuar golin e dytë të fitores së skuadrës së tij në shtëpi ndaj Kaljarit në fundjavë.
32-vjeçari ka bërë një vrapim galopant drejt portës kundërshtare, duke realizuar, edhe i ndihmuar nga shtylla, një gol që mund të mos ketë atë finesën e Maradonës, por që nga madhështia e shënimit është i po të njëjtit nivel.