AlbanianSport.com 22/09/2018 21:40
ASNN – Të hënën e ardhshme të 24 shtatorit 2018, në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës nis Kampionatit Kombëtar i Boksit për Të Rritur, veprimtari kjo që do të zgjasë për tre ditë me radhë. Në pritje të kësaj veprimtarie, që është edhe më e rëndësishmi e vitit në planin kombëtar, boksierët e Vllaznisë vazhdojnë me intensitet përgatitjet në palestrën e klubit kuqeblu.
Pasi kanë konsumuar më herët dy etapa shumë të rëndësishme grumbullimi, si ajo në plazhin e Velipojës dhe më pas edhe të pikës turistike të Zogajt, tashmë protagonistët e ringut kuqeblu janë përqendruar në fazën finale, duke ia dedikuar pjesën më të madhe punën në formacionin e parë. Sipas trajnerit të Vllaznisë dhe kombëtares shqiptare, Zef Gjoni bën të ditur se skuadra ka marrë një formë të mirë sportive.
Sipas Gjonit, se ajo është pretendentja kryesore për të fituar titullin “kampion”, i cili për nga radha është i 22-ti. Në vijim, trajneri Gjoni ka folur edhe për konkurrencën, duke pranuar se ajo pritet të jetë më e madhe se asnjëherë tjetër, pasi sipas tij, ekipet rivale po forcohen edhe me boksierë të ekipeve të tjera, vetëm për të mundur Vllazninë, por sipas tij, skuadra që ai drejton ka për t’ia dalë me sukses.
Kampionati Kombëtar i Boksit për Të Rritur nis pasditen e së hënës së 24 shtatorit 2018 në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, për të vijuar edhe të martën dhe të mërkurën ku janë planifikuar ndeshjet më të bukura, duelet finale që do të përcaktojnë fituesit e peshave përkatëse, si individë si dhe ekipin “kampion” të Shqipërisë për vitin 2018.