AlbanianSport.com 22/09/2018 21:20
ASNN – Në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri të KampionatitKombëtar të Basketbollit për Meshkuj, ku do të debutojë në nivelin më të lartë, në Superligë, pasi dominoi sezonin e shkuar në Kategorinë e Parë, Goga Basket ka zhvilluar një ndeshje miqësore me kampionen e Shqipërisë, Tiranën. Dhe duke dhënë një sinjal të qartë për synimet e këtij sezoni, skuadra private e koshit durrsak ka triumfuar me rezultatin e thellë 116-82.
Në fakt, në këtë miqësore të zhvilluar në mjediset moderne të Arenës Sportive “Dhimitraq Goga” në Xhafzotaj, skuadra vendase, e drejtuar nga trajneri Nikola Milatoviç, ka qenë e plotë dhe në përbërje të saj kanë qenë basketbollistët shqiptarë, Marsel Aliaj, Niko Thano, Klevis Isaku, Ilmi Pasha, Denis Veselagu, Herion Faslija, Mirald Dinoshi, Hidajet Elezi, Marvin Aliaj dhe Noel Bedo. Po kështu, pjesë e formacionit të Goga Basket për këtë ndeshje kanë qenë edhe 3 basketbollistë të huaj.
Bëhet fjalë për amerikanët Aron Uilliams dhe Grifin Rame, si dhe malazezin Aleksandër Miliç. Në krahun tjetër, Tirana, e cila, pas largimit të trajnerit Antonios Dukas drejtohet nga ish-ndihmësi i tij, Melzin Lazimi, ka patur në dispozicion tërësisht shqiptar, duke nisur nga emrat e konsoliduar tanimë të bardhebluve, si Gerti Shima, Endrit Hysenagolli, Erkand Karaj, Genti Lasku, Red Vogli, Nini Hasani, por edhe Majk Vaqarri dhe Klein Strazimiri.
Skuadra durrsaket e ka dominuar takimin, duke e fituar atë në fund me plot 34 pikë epërsi. Ndonëse kjo ishte vetëm një ndeshje miqësore, duhet theksuar se rezultati, por më tepër, edhe loja që skuadra e Milatoviçit dhuroi në parket, janë një ogur i mirë për sezonin e ri të Goga Basketit në Superligën e koshit shqiptar të meshkujve.