AlbanianSport.com 21/09/2018 22:40
ASNN – Turneu i Hapur i Tenisit për grupmoshën mbi 35-vjeç dhe veteranët, ku do të marrin pjesë 60 sportistë, nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës, do të mbahet përgjatë fundjavës në Tiranë. Tenistët e huaj që do të marrin pjesë në këtë turne e shohin atë edhe si një mundësi të mirë për të njohur më mirë Shqipërinë.
Në mjediset e “National Sport Park” në Tiranë do të zhvillohet në fundjavë Turneu i Hapur i Tenisit për grupmoshën mbi 35-vjeç dhe veteranët, ku do të marrin pjesë 60 sportistë. Për veteranët Genc Çakçiri dhe Shpëtim Hoxha, ky turne është një vitrinë e mirë për tenisit shqiptar.
Në këtë turne do të marrin pjesë edhe tenistë të huaj, të cilët e shohin atë edhe si një mundësi të mirë për të njohur më mirë Shqipërinë. “Kjo është hera e dytë që vij në këtë turne. Vitin e shkuar isha vetëm, ndërsa këtë vit kam ardhur me fëmijët dhe familjen dhe me disa miq, që gjithashtu luajnë tenis”, – thotë rusi Najdanov.
“Më pëlqen Shqipëria dhe kryesisht këtu kam ardhur jo vetëm për të shijuar Shqipërinë, por edhe vendin tuaj”, – shton ai. Ky turne do të ketë edhe shpërblime për fituesit e të gjitha kategorive, ndërsa finalet e të gjitha kategorive do të zhvillohen të dielën pasdite dhe në mbrëmje.