AlbanianSport.com 20/09/2018 23:15
ASNN – Ndonëse ka vuajtur dhe nuk ka bindur, Milani e ka nisur aventurën e tij kontinentale në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, duke fituar minimalisht në Luksemburg ndaj Dydelonzhit. Goli i vetëm, me autor Higuainin, i ka mjaftuar skuadrës së trajnerit Xhenaro Gatuzo për të marrë 3 pikët. Veprimtaria e dytë e klubeve të kontinentit, Liga e Evropës, ka ngritur të enjten në mbrëmje siparin e sezonit të ri në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, që ka sjellë duelin e vlefshëm për grupin F, midis Dydelonzhit dhe Milanit, që u fitua nga Italianët me një gol të vetëm.
Milanit do t’i duhen 11 minuta lojë për të patur të parin rast të rrezikshëm, por goditja e Higuanit në kufinjtë e zonës përfundon jashtë kuadratit. Italianët vazhdojnë të ushtrojnë presion, por 3 minuta më pas, goditja me kokë e Kastijeros has në mbrojtjen vendase, e cila më pas largon rrezikun. Përtej disa minutave të mira për Dydelonzhin, Milani do të rrezikojë sërish në minutën e 21-të, teksa marshimi i Bakajokos deri në zemër të mbrotjes kundërshtare nuk materializohet.
Ndonëse kuqezinjtë do të vazhdojnë të provojë si me goditje nga larg, por edhe me depërtime në zonën luksemburgase, por pa finalizimin e duhur, gjysmëora e lojës do të flasë më tepër për vendasit, që kanë dy rastet të mira, por në të dyja rastet, finalizimi lë për të dëshiruar dhe Milani shpëton pa pësuar gol. Edhe pjesa e dytë ka nisur me të njëjtën tablo, me italianët më kërkues dhe më të rrezikshëm përpara portës kundërshtare, por me vendasit që mbahen dhe mbrohen, të ndihmuar edhe nga paqartësia në finalizim e miqve.
Sikundër ndodh rëndom në këto ndeshje, do të duhet një devijim, pas një goditjeje të Higuanit, që Milani të gjejë më në fund rrugën e rrjetës. Goli do ta çlirojë skuadrën italiane, e cila do të luajë më e shpenguar dhe mund të kishte gjetur edhe një gol tjetër me dy raste të Borinit, i cili do të ndalet vetëm nga shtylla horizontale në minutën e 67-të. Loja do të rrjedhë monotone në vijim, por 8 minuta para fundit, Higuain ka mundësi të vulosë fitoren e Milanit me një gol të dytë, por portieri luksemburgas bën sërish heroin dhe shmang prekjen e rrjetës së tij.
Ndonëse Dydelonzhi ka rrezikuar në fund të bëjë surprizën, për të marrë një barazim historik, Milani fiton 1-0 dhe nisur aventurën e tij kontinentale në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, duke marrë 3 pikët.