AlbanianSport.com 20/09/2018 20:25
ASNN – Miqtë e quajnë “Maradona” ndërsa mediat kineze “Nut Soccer”. Bëhet fjalë për Zhao Çongshen, 63 vjeç, që luan ende futboll tri herë në javë dhe nuk ka në plan të largohet nga kjo lojë. Zhao duket si çdo gjysh tjetër, i butë, me buzëqeshjen e tij të ngrohtë, por në fakt ai është i famshëm në provincën lindore të Kinës, Zhejiang, për shkak të dashurisë së tij të pandarë për futbollin.
Këmbët e forta dhe supet e gjera të Zhaos tregojnë se ai ka qenë lojtar profesionist dikur. “Unë do të vazhdoj të luaj për aq kohë sa të mundem, – rrëfen ai për Agjencinë Ndërkombëtare të Lajmve “AFP”. – E mendoj se nuk kam problem të luaj tri ndeshje në javë. Ky është hobi im dhe shpresoj se mund të jem një shembull për brezin e ri. Sinqerisht e them se nuk është e lehtë të luash në moshën time.”
Ndikimi i futbollit në jetën e Zhaos nuk mund të nënvlerësohet. Ai filloi të luante në rrugë kur ishte 15 vjeç. Ishte mjaft i mirë dhe iu bashkua ligë profesioniste që përfaqësonte krahinën veriore të Kinës, Sha’anxi. Sikur të mos ishte pjesë e ekipit, ai do të ishte dërguar në fshat bashkë me miliona të rinj të tjerë, si pjesë e revolucionit katastrofik kulturor të Mao Ce Dunit.
Zhao tha se nuk ka asnjë sekret për shëndetin e mirë që gëzon. Ai është thjesht një sportist i lindur që luan ende edhe basketboll e pingpong. Ai mban në bluzë numrin 65, sipas metodës kineze që tregon vitet që mbart. Lojtari i preferuar për të është braziliani Nejmar.