AlbanianSport.com 19/09/2018 19:40
ASNN – Bota e sportit është përfshirë ditët e fundit nga një diskutim i madh teksa Agjencia Botërore e Anti-Dopingut përgatitet të vendosë të enjten nëse do t’ia heqë apo jo pezullimin 3-vjeçar sistemit rus të anti-dopingut. Në një ditë të jashtëzakonshme të ndërthurjes së protestave anembanë globit, kanë qenë të shumtë sportistët, por edhe disa prej drejtuesve që këtij organizmi që janë shprehur me zë të lartë kundër një vendimi të mundshëm në favor të rusëve.
Midis tyre spikati zv/presidentja e WADA-s, Linda Helleland, e cila është një nga 12 anëtaret e Komitetit Ekzekutiv që do të vendosë për fatin e Agjencisë Ruse të Anti-Dopingut (RUSADA) në mbledhjen e së enjtes në Sejshelle. Ajo e bëri të qartë se do të votonte kundër, duke sqaruar se, “nëse do të zgjidhnim ta rikthenim Rusinë në WADA, do të shkonim përkundër dëshirës së Komitetit të vetë Sportistëve anembanë botës, që e kanë shprehur qartë se nuk do ta pranonin një rikthim tani”.
“Ky moment do ta përkufizojë përjetësisht besueshmërinë e WADA-s si organ të pavarur dhe si avokatin kryesor të një sporti të pastër, – shtoi Hellelandi, e cila pritet të kandidojë për të zëvendësuar Kreig Riidin si president të WADA-s, kur atij t’i mbarojë mandati vitin që vjen. – Kam frikë se, duke zgjedhur rrugëdaljen më të lehtë, ne eventualisht do ta dëmtojmë WADA-n në të ardhmen.”
Edhe sportistët, që zakonisht kanë krijuar një kakofoni me mendimet e tyre në të shkuarën mbi këtë çështje, këtë radhë ishin të qartë dhe të bashkuar në atë që vendimi i mundshëm i WADA-s, kur Rusia nuk ka dhënë ende prova serioze për dëshirën për ta luftuar dopingun, është njëlloj si të lëvizësh shtyllat e portës në futboll. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i WADA-s të enjten dhe si do të reagojë bota e sportit pas tij.