AlbanianSport.com 17/09/2018 21:35
ASNN – Skënderbeu fitoi me rezultatin 2-0 përballjen me Flamurtarin e luajtur të hënën në mbrëmje në Vlorë. Kryendeshja e javës së 4-t u vendos nga golat e Krasniqit dhe Oto Xhonit në pjesën e dytë. Ky ishte një triumf i skuadrës korçare ndaj ish-trajnerit, Ilir Daja dhe fitorja i jep Skënderbeut kreun e renditjes në kuotën e 10 pikëve. Edhe pse një ndeshje deri diku e barabartë, kampionët në fuqi bëjnë sërish diferencën për të marrë 3 pikët përballë skuadrës së ish-trajnerit të tyre, Ilir Daja, që ka filluar një sezon me pritshmëri të lartë për garën e titullit “kampion”.
Nën drejtimin e Orges Shehit, Skëndërbeu i ri në emra dhe në moshë vazhdon të ketë një ritëm të lartë prej kampionësh, duke mundur edhe skuadra me lojtarë me më shumë eksperiencë. Kjo ishte një fitore që bind për korçarët, duke vërtetuar se do të jenë sërish ekipi për t’u mundur në këtë kampionat. Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt një barazimi, 15 minuta nga fundi i ndeshjes ndryshon gjithçka, pasi Radas harkon nga një goditje standarte dhe brenda zonës Krasniqi zhbllokon ndeshjen me golin e parë në minutën e 73-të.
Pak minuta më pas, pikërisht autori i golit Krasniqi zëvendësohet me Oto Xhonin dhe këtij të fundit i duhen pak minuta jo vetëm për t’u përshtatur me lojën, por edhe për të shënuar golin e dytë të takimit, që vulos fitoren e 3-të në 4 ndeshje për Skënderbeun që kryeson me 10 pikë, e për më tepër me kolonën e humbjeve ende në kuotën 0. Ndërkohë, Flamurtari mbetet po në vendin e dytë në kuotën e 7 pikëve, edhe pse e mbyll këtë javë të 4-t të Kategorisë Superiore me humbjen e parë sezonale dhe me dy golat e parë të pësuar nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja.