AlbanianSport.com 16/09/2018 17:45
ASNN – Në kuadër të javës së 4-t të Kategorisë Superiore, është luajtur sot pasdite takimi i 3-të, ai midis Laçit dhe Partizanit, që është mbyllur me rrjeta të paprekura. Sikundër kanë bërë rëndom gjatë këtyre sezoneve të fundit, Laçi dhe Partizani nuk i kanë hapur rrugë njëra-tjetrës, duke ndarë pikët në një barazim të bardhë midis tyre të dielën.
Përtej një pretendimi të të kuqve kryeqytetas për një 11-metërsh, të hedhur poshtë nga gjyqtari, pjesa e parë ka qenë e barazpeshuar, me nga dy raste për secilën skuadër. Kurbinasit kanë shënjestruar të parët portën e Partizanit, por gardiani Hoxha është në lartësinë e duhur, ndërsa në krahun tjetër, të kuqtë kanë dy raste për të rrezikuar portën e Laçit, por pa e gjetur dot kuadratin.
Me një goditje të laçjanëve, që neutralizohet bukur nga Hoxha, mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta ka të njëjtën tablo. Skuadra e trajnerit Skënder Gega e nis më mirë, por vendasit e drejtuar nga kryeqytetasi Artan Merxhushi do të kenë raste më të mira për shënim dhe vetëm reflekset e Hoxhës e shpëtojnë Partizanin nga pësimi i golit. Përtej përpjekjeve në fund të Partizanit, mbyllet me rrjeta të paprekura kjo sfidë.
Dhe kurbinasit marrin barazimin e 3-të në këto 4 javë ku nuk e njohin humbjen, ndërsa Partizani ndalet me një pikë pas dy fitoresh radhazi.