AlbanianSport.com 13/09/2018 13:00
ASNN – “Ndryshimi në paraqitje dhe në rezultate midis 3 ekipeve të para dhe pjesës tjetër të atyre që garojnë në Formula 1, telashet financiare të skuadrës së “Force India”-s dhe rreziku që një yll në ngjitje si Okoni mund të mos ketë një makinë në 2019-ën, e bëjnë të nevojshëm rishikimin rrënjësor sa më shpejt të këtij kampionati botëror të automobilizimit. I këtij mendimi është kreu ekzekutiv i “MekLaren”-it, Zek Braun. Kështu pra, një hendek i madh në nivel, thuajse falimentimi i “Force India”-s dhe e ardhmja e pasigurt Esteban Okonit, dëshmojnë se “mina me sahat” e Formula 1-shit tanimë po shpërthen, ka paralajmëruar kreu ekzekutiv i “McLaren”-it, Zek Braun.
Ai beson ndryshimi në paraqitje dhe në rezultate midis 3 ekipeve të para dhe pjesës tjetër të atyre që garojnë në këtë kampionat, telashet financiare të skuadrës së “Force India”-s dhe rreziku që një yll në ngjitje si Okoni mund të mos ketë një makinë në 2019-ën, duhet ta nxisë kompaninë pronare të Formulës 1, “Liberty Media”, që të vijojë sa më shpejt me rishikimin rrënjësor që ajo planifikon t’i bëjë këtij kampionati botëror të automobilizimit. “Ne e kemi parë të gjithë që kjo po vinte dhe nuk kam zili për atë që “Liberty Media” ka trashëguar, sepse kjo ka filluar kohë më parë”, – tha Brauni gjatë një interviste. “Berni Eklestoni e pati gjendjen nën kontroll për sa mundi, por kjo ishte prapëseprapë njëfarë mine me sahat dhe tanimë disa gjëra kanë shpërthyer, – ka vijuar ai. – Fatkeqësisht, disa gjëra janë prishur tashmë dhe është e nevojshme që të shtypësh butonin e rindezjes. Nuk kam menduar kurrë se Formula 1 është shumë e madhe për të dështuar, dhe më acaron mendimi arrogant që mbizotëron shpesh këtu se gjërat do të rregullohen vetvetiu. Jo, nuk ndodh kështu, prandaj duhet të nxitojmë me një reformë rrënjësore, duke nisur që nga 2021”-shi, përndryshe rrezikojmë shumë”, – ka përfunduar kreu ekzekutiv i “McLaren”-it, Zek Braun.