AlbanianSport.com 11/09/2018 13:55
ASNN – Nuk ka asnjë justifikim për rezultatet negative të arritura nga Luftëtari deri tani në këtë kampionat. Kështu është përgjigjur kapiteni i skuadrës gjirokastrite, Behar Ramadani, duke folur për mediat sportive të ditës. Megjithëse më pas ai rendit edhe disa arsye, të cilat, sipas tij, duan kohën e tyre për t’u përmirësuar.
Luftëtari me makthet e fillimit sezonit të kaluar. Në tre ndeshje të luajtura, asnjë pikë e grumbulluar nga gjirokastritët. Situatë e rëndë nga e cila kërkohet të dilet sa më shpejt. Bluzinjtë gjithashtu mund të përfitojnë nga ndeshjet e kombëtares, për të analizuar me kujdes se ku po çalon skuadra.
Por duket se këto ditë pushimi të kampionatit, për shkak të ndeshjeve të kombëtares, i kanë shërbyer Luftëtarit për të punuar më shumë në stërvitje. Të gjithë futbollistët po stërviten për të përmirësuar gabimet e shfaqura gjatë tre ndeshjeve të para, si në repartin e mbrojtjes ashtu edhe në sulm.
Këtë fundjavë Luftëtari do të përballet me Tiranën, e cila ndodhet në të njëjtat pozita me të. Ndaj, kapiteni Ramadani shpreson që ndaj bardhebluve të thyejnë akullin, të bëjnë kthesën e t’i rikthehen fitores. Sipas kalendarit të javës së 4-t të Kategorisë Superiore, që do të luhet e gjitha në 3 ditë, takimi Tirana-Luftëtari luhet të dielës, në orën 18:45.