AlbanianSport.com 11/09/2018 09:55
ASNN – Legjenda e futbollit argjentinas dhe atij botëror, Diego Armando Maradona, ka filluar detyrën me skuadrën e Dorados, që militon në divizionin e dytë të kampionatit meksikan. Maradona, i cili ka luftuar publikisht me varësinë nga droga, me alkoolizmin dhe mbipeshën, pranoi se do të punojë për ta ngritur këtë skuadër, pikërisht në zemër të vendit kryesor të organizatave meksikane të drogës, në Sinaloa.
“Unë dua t’i jap Dorados atë që kam humbur kur isha i sëmurë,” – u tha ai 200 gazetarëve që ishin në sallën e konferencës së shtypit, ku ai u paraqit zyrtarisht si trajner i ri i klubit. – Unë kam qenë i sëmurë për 14 vjet, tani unë dua të shoh diellin e të shkoj në shtrat i qetë për të fjetur. Gjë që nuk e kam bërë dot më, pasi nuk e dija se çfarë ishte një jastëk.”
Diego Armando Maradona ka befasuar botën e futbollit me vendimin e tij për të trajnuar një ekip të divizionit të dytë, që për më tepër, ndodhet hëpërhë në vendin e 13-të midis 15 skuadrave pjesëmarrëse. Më tej, legjenda argjentinase theksoi se fokusi i tij është futbolli, duke e quajtur këtë si momentin më të mirë në jetën e tij. “Dua të kaloj një kohë të gjatë në Dorados”, – tha ai.
“Njerëzit mund të thonë shumë gjëra, por unë isha duke shkuar drejt greminës, po haja veten me dhëmbë, por gjithçka ndryshoi falë vajzave të mia, – ka rrëfyer 57-vjeçari. – Ishte vajza ime e vogël që kur isha në koma, më kërkoi që të jetoja e më bindi të ndryshoja rrugën time.” Pas një bisede 10-15-minutëshe me gazetarët, Maradona u drejtua në stadiumin e Dorados për të bërë stërvitjen e parë.