AlbanianSport.com 29/08/2018 19:05
ASNN – Jusein Bolt është duke punuar shumë për të rritur nivelin e rezistencës e për të kapur ritmin e futbollist profesionist, përpara ndeshjes së parë të kampionatit australian. Tetë herë kampionit olimpik në atletikë i është dhënë një mundësi nga Sentral Koust Mariners në Australi për të përmbushur ëndrrën e tij të kahershme, të luajë futboll profesionist. Xhamajkani iu bashkua ritmit të pjesës tjetër të skuadrës në një seancë më intensive në bazën e ekipit në qytetin e Gosfordit, 75 kilometra në veri të Sidnejit.
Pas nxemjes dhe vrapimit rreth fushës, ai zhvilloi ushtrime me topin. Por u vu re se 32 vjeçari kishte mangësi në përgatitjen fizike, sepse u lodh shpejt. “Gjëja më sfiduese për mua është ndalimi dhe nisja sërish e vrapit, sepse nuk jam mësuar që të nis vrapimin, të kthehem prapa dhe pastaj ta nis prapë vrapin”, – pohoi ai. – Por kjo do vetëm praktikë, ndaj më duhet vetëm pak kohë që të praktikohe.” Ekipi i Marinarëve shpreson që ta ketë Boltin në dispozicion deri në fund të tetorit, kur nis edhe sezoni i ri futbollistik i Ligës A.
Të premten skuadra do të zhvillojë një miqësore me një ekip amator dhe Bolti pritet të luajë, por vetëm si zëvendësues. “Unë besoj se do t’i jap disa minuta të premten, – tha trajneri i klubit, Majk Malvi. – Mendoj se gjërat po shkojnë mirë me Boltin. Ato që i kërkojmë të bëjë janë gjëra që ai nuk ka bërë për shumë vjet. Ai ka qenë atlet dhe tani i duhet që shpejtësinë që ka ta ndërthurë me përdorimin e topit”. Ndërsa Bolt shtoi më tej se po shihte përmirësime të ngadalta në lojën e tij.
“Jam duke u përshtatur me topin duke u munduar të kem një përdorim sa më të shpeshtë me të, – theksoi rekordmeni xhamajkan. – Sa më shumë të luaj me top, aq më shumë do të mësohem me të.”