AlbanianSport.com 29/08/2018 16:45
ASNN – Prej mëse një javë ka nisur në Budapest të Hungarisë Kampionati Botëror i Boksit për 18-vjeçarët, në të cilën merr pjesë edhe Shqipëria. Në këtë eveniment të rëndësishëm botëror ka konkurruar edhe boksierja shkodrane Elsidita Selaj. Ajo ka zhvilluar ndeshjen e parë përballë boksieres Kampboll nga Australia. Boksierja kuqezi e ka dominuar ndeshjen në të gjitha drejtimet dhe për rrjedhojë në fund gjyqtaria ia ka dhënë asaj fitoren me rezultatin e pastër 5-0.
Në këtë mënyrë, Selaj ka vazhduar rrugëtimin e saj në Kampionatin Botëror duke kaluar në turin e dytë, aty ku përballë do të ketë një kundërshtare nga India, boksieren Pahua. Kjo e fundit ka qenë një boksiere cilësore, me më tepër përvojë ndërkombëtare sesa sportistja shqiptare, e cila erdhi në këtë veprimtari si nënkampione e Evropës për këtë grupmoshë. Në rast fitoreje ndaj boksieres indiane, të Selaj, e cila drejtohet nga trajneri Jetmir Kuçi, do të futej në zonën e medaljeve edhe në Botëror dhe kjo padyshim që do ishte arritje historike.
Por përballja me indianen ka rezultuar një ndeshje shumë e fortë dhe, në raundin e parë, ishte boksierja kuqezi që ka triumfuar, duke e fituar atë. Sidoqoftë, indianja ka dominuar plotësisht në raundin e dytë, duke e bërë raundin e 3-të vendimtar për fatin e kësaj ndeshjeje. Përtej përpjekjeve të boksieres shqiptare, indianja Pahua e fiton këtë raund dhe gjithë ndeshjen me rezultatin 4-1, ndonëse duhet theksuar se përtej këtyre shifrave, gjyqtaria kryesore i ka parë dy sportistet shumë pranë njëra-tjetrës në vlerësim.
Megjithatë, pavarsisht eliminimit, kjo ishte një paraqitje dinjitoze e boksieres së re shqiptare që premton mjaft për të ardhmen e ringut kuqezi.