AlbanianSport.com 27/08/2018 16:45
ASNN – Reali i Madridit vijon të fitojë në kampionatin spanjoll edhe pa Kristiano Ronaldon. Madrilenët fituan ndaj Hironës në javën e dytë, me shifrat 4-1. Kështu, Reali duket se e ka gjetur kurën e duhur pas largimit të yllit portugez. Skuadra e trajnerit Lopetegi arriti fitoren e dytë në po kaq javë teksa mundi Hironën në fushë të huaj me rezultatin bindës 4-1.
Vendasit janë vrasës që në fillim të sfidës kur Borha Garcia, brenda zonës së rreptësisë mposht portierin Navas. Ndeshja vendoset në diktatin e Hironës deri në minutën e 38-të, kur gjithçka ndryshon. Asensio rrëzohet brenda zonës së rreptësisë dhe kryesori akordon 11-metërsh. Nga pika e bardhë Serxhio Ramos nuk gabon, duke barazuar rezultatin.
Pjesa e dytë nis me të njëjtën panoramë si e para. Asensio fiton një tjetër 11-metërsh dhe këtë herë është Benzema që realizon nga pika e bardhë. Pak minuta më vonë, është Gareth Bejl që trefishoi rezultatin ndërsa Benzema vulosi fitoren e madrilenëve 4-1, që kryesojnë sëbashku me Barcelonën me nga 6 pikë. Në sfidën tjetër të javës së dytë, Sevilja dhe Vijareali u ndanë në barazim pa gola.
Në Stadiumin “Sançez Piz’huan” pati shumë pak raste të krijuara nga të dyja skuadrat. Andre Silva kishte rastin më të mirë për vendasit në pjesën e parë ndërsa në të dytën Ben Jederi goditi shtyllën. Në fund një pikë që kënaq të dy skuadrat.