AlbanianSport.com 26/08/2018 21:45
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka luajtur të dielën ndeshjen e parafundit të javës së saj të dytë dhe Skënderbeu ka fituar pastër, 3-0 në Fushë-Krujë ndaj Kastriotit. Demte ishte ai që hapi shifrat, pas një pasimi të bukur nga Krasniqi. Në minutën e 30-të, ishte radha e Dejvi Bregut, që dyfishoi pas një goditje dënimi.
Me këtë epërsi të dyfishtë mbyllet pjesa e parë, ndërsa në të dytën, ekipi i trajnerit Orges Shehi e administroi mjaft mirë rezultatin. 5 minuta nga fundi, pas një shpërthimi të sulmuesit Oto Xhon, ky i fundit nxorri Dejvi Bregun vetëm për vetëm me portierin dhe ai nuk gabon dhe vulos shifrat 3-0, duke shënuar edhe golin e dytë personal në këtë ndeshje.
Tashmë, Skënderbeu kryeson me pikë të plota, 6, ndërsa Kastrioti mbetet në kuotën e 3 pikëve. Pas barazimit pa gola të premten midis Tiranës dhe Teutës, të shtunën janë luajtur dy ndeshje të tjera dhe Partizani ka marrë një fitore minimale, por mjaft të vyer në Kamëz ndaj skuadrës vendase. Ndërsa Laçi ka kapërcyer pësimin e një goli dhe ka përmbysur gjithçka në sekondat e fundit, duke fituar 2-1 në shtëpi ndaj Luftëtarit.
Java e dytë është mbyllur me ndeshjen Flamurtari-Kukësi, që u luajt në mbrëmje në Vlorë dhe u fitua nga vendasit me një gol të vetëm. Dhe ka qenë pikërisht një ish-lojtar i verilindorëve, ai që ka vulosur fitoren e vlonjatëve, duke shënuar 5 minuta para fundit të pjesës së parë, ndërsa pjesa e dytë nuk ka sjellë gola të tjerë.