AlbanianSport.com 26/08/2018 19:25
ASNN – Në Botërorin e Motoçiklizmit ndodhi ajo që nuk pritej. Gara e Silverstounit është anuluar dhe nuk do të zhvillohet fare këtë sezon. Shkak kanë qenë kushtet e këqija atmosferike, reshjet e dendura të shiut, të cilat ia kanë bërë të pamundur garimin pilotëve. Pas 4 orë e 30 minuta pritje, drejtuesit e Botërorit të Motorëve, së bashku me pilotët, vendosën që gara të mos zhvillohej, sepse sasia e ujit në pistë ishte më shumë se norma e lejuar dhe vihej në rrezik jeta e tyre.
Gara e radhës në Botërorin e Motorëve ajo e Silverstounit, e programuar për t’u zhvilluar të dielën në orën 12.30, është anuluar. Kjo për shkak të kushteve të rënda atmosferike. Reshjet e shiut kanë qenë mjaft të dendura duke e bërë të pamundur hyrjen në pistë të pilotëve. Pilotët dhe drejtuesit e skuadrave kanë pritur rreth 4 orë e 30 minuta deri në marrjen e një vendimi. Ndërsa makina e sigurisë ka hyrë disa herë në pistë për të parë gjendjen e saj.
Sasia e ujit në pistë ka qenë më e madhe se norma e lejuar ndaj komisioni i sigurisë, pas mbledhjesh dhe diskutimesh të shumta, në orën 16:30 vendosi të mbledhë edhe pilotët për të marrë vendimin përfundimtar. Afati i fundit për t’u zhvilluar gara ka qenë ai i orës 17.00, sepse më pas fillonte të errësohej dhe pista e Silverstounit nuk është e pajisur me ndriçim. Të gjithë pilotët kanë qenë të një mendje se në këto kushte nuk mund të garohej pasi ishte në rrezik jeta e tyre.
Ndërsa organizatorët e Botërorit të Motoçiklizmit kanë nxjerrë detyra për të ardhmen se si duhet të veprojnë në kushte të tilla atmosferike, në mënyrë që gara të mos anulohet më, sepse shpenzimet e skuadrave dhe të vetë vendit pritës janë të mëdha. Temperatura e asfaltit në pistën e Silverstounit ka qenë 10 gradë Celcius, ndërsa dy vjet më parë ishte vendosur që nuk duhej garuar nën 12 gradë pasi ishte e rrezikshme për të pilotuar.
Gara e radhës është ajo e Mizanos pas dy javësh. Renditjen për pilotë vazhdon ta kryesojë Mark Markezi, me 201 pikë.