AlbanianSport.com 20.11.2014 19:10
ASNN – Kategoria e Dytë i kthehet ndeshjeve të javës së shtatë dhe në qendër të vëmendjes është dueli i kryesuesve të Korabit me vendin e fundit të grupit A, Domosdova. Sipas të gjasave, vërtetuar dhe nga mesazhi i trajnerit të Korabit, Laçi, në faqen e “Facebook”-ut Kategoria e Dytë, për shkak të atyre që kanë ndodhur vitin e kaluar me dibranët në Prrenjas, Domosdova ka të ngjarë që të mos udhëtojë drejt Peshkopisë.
Për rrjedhojë Laçi u ka drejtuar një mesazh jo vetëm drejtuesve të Domosdovës, por të gjithë sportdashësve, e cila është si më poshtë: “Përshëndetje. Jam trajneri i KS Korabit. Desha t’ju them diçka në lidhje me ndeshjen e ardhshme Korabi-Domosdova për të cilën kanë qarkulluar zëra se ato nuk do të paraqiten në ndeshjen e radhës ditën e diel në Peshkopi.”
“Arsyet janë se ato janë sjellë keq me ne atje, madje duke goditur dhe lojtarët tanë, – ka vijuar Laçi. – Unë po të shkruaj këtë mesazh që ti nëse mundësh të bësh status që ne do t’i presim ato si miq, ashtu siç Dibra e ka në traditë. Ju jap fjalën për këtë, siç po e shihni mesazhi po vjen nga facebook im personal. Faleminderit”. Ky ka qenë mesazhi i trajnerit të Korabit, që sivjet pretendon për ta ngjitur skuadrën në Kategorinë e Parë.
Megjithatë, dibranët janë në një rivalitet të fortë me Erzenin e Shijakut, teksa janë në pikë të barabarta 15.