Endrit Sauku (TV Klan) 25/08/2018 19:50
ASNN – Piotrek Svinjarski kalon shumë kohën në kompjuter për të gjetur zgjidhje të momentit ose për sfidën e radhës. Ai shikon çdo aksion dhe lëvizje, shqyrton statistikat për të ndihmuar stafin teknik të kombëtares së volejbollit të femrave dhe të meshkujve për të marrë vendimin e duhur. Piotreku vjen nga Polonia për të qenë pjesë e skuadrës kuqezi.
“Unë qëndroj me orë pas kompjuterit duke vëzhguar dhe analizuar çdo gjë që të ndihmoj ekipin që të arrijë rezultate të mira. Unë përpiqem të gjej zgjidhje gjatë ndeshjes, si për shembull, se cila lojtare duhet të jetë në shërbim, ose kush duhet të jetë në bllok në sulmin e kundërshtareve”. Piotreku tha se pranoi me kënaqësi kur iu bë propozimi.
“Unë e pashë ekipin dhe u befasova si luanin edhe pse në renditje ishin pak poshtë, por kjo nuk u pa në fushë”, – thotë ai. Polaku duket se është familjarizuar me jetën në Shqipëri. “Këto lojtare, stafi janë familja ime këtu, – pohon Piotreku. Jam i lumtur që jam këtu, pasi njerëzit janë shumë të mirë, çdo gjë është e bukur, nga qytetet, femrat apo ushqimi”.
I rrethuar nga shqiptarë, gjithsesi deri më tani ka mësuar pak fjalë shqip, por ka kohë për t’u përmirësuar. “Mirëmëngjes, natën e mirë. E ke kap veten. I kam premtuar që do të mësoj shqip për vitin tjetër që të kem mundësinë të flas në shqip gjatë analizës video”. Piotrek po punon për ndeshjen e radhës, atë të kthimit ndaj Zvicrës, me shpresën që do të befasojë skuadrën kundërshtare.