AlbanianSport.com 24/08/2018 20:35
ASNN – Laçi-Luftëtari është një nga sfidat e së shtunës, e vlefshme për javën e dytë të kampionatit të kategorisë superiore. Laçjanët kanë një pikë pas barazimit me Kukësin, ndërsa gjirokastritët vijnë pas humbjes me Kastriotin. Bilanci i sezonit të kaluar është në favor të Luftëtarit me dy fitore e dy barazime.
Pas barazimit 1-1 me Kukësin në kampin kurbinas ka nisur puna për sfidën e radhës, atë me Luftëtarin. Laçi e di që përballë do të ketë një kundërshtar aspak të lehtë, me të cilin nuk i ka mbyllur mirë llogaritë në sezonin e kaluar. Ndaj kërkon revanshin që në takimin e parë të këtij viti të ri futbollistik.
Drejtuesit e klubit kurbinas, këto ditë kanë zyrtarizuar firmën me sulmuesin maqedonas, Marijan Altiparmakovski. Ai do të formojë dyshen e sulmit të Laçit së bashku me bashkëkombasin e tij Najdenov. Tashmë lojtari është vënë nën urdhërat e trajnerit Mërxhushi dhe pritet të debutojë në sfidën ndaj Luftëtarit.
Sipas statistikave të sezonit të kaluar, Luftëtari ka arritur dy fitore dhe dy barazime me Laçin. Ndaj në kampin gjirokastrit të gjithë presin që skuadra e tyre të bëjë sërish të njëjtën paraqitje edhe këtë fillimsezoni. Por a do të jetë dakord Laçi me dëshirat e Luftëtarit, pasi edhe ata kanë synimet e tyre?
Këtë do ta shohim në përfundim të 90 minutave të sfidës midis Laçit e Luftëtarit.