AlbanianSport.com 24/08/2018 17:05
ASNN – Një tjetër javë, një tjetër kundërshtar i madh nga kryeqyteti, por për trajnerin e Kamzës, Bledar Devolli, synimi mbetet i njëjtë, fitorja. Gjirokastriti i stolit të periferikëve e ka të qartë se humbja me Skënderbeun nuk mund të mjaftojë për të krijuar një ide të saktë për Partizanin.
Të njëjtin mendim ndaj edhe sulmuesi kryeqytetas, Sebino Plaku, që thotë se ndryshe nga sezoni i shkuar, Partizani nuk ka bujën e emrit, por ka punuar në qetësi, ndaj imponon kujdes. Plaku ka shënuar që në ndeshjen e parë me Kamzën, ndërsa rikthimin e ka quajtur një zgjedhje natyrale.
Në fund, trajneri Devolli ka edhe një strategji të cilën ai e shpreh me terma kinematografikë. “Dua që skuadra të jetë si tek filmi “E bukura dhe bisha”, – tha ai. E bukur kur kemi topin dhe bisha kur nuk e kemi, për ta fituar atë sa më shpejt.” Takimi Kamza-Partizani luhet të shtunën pasdite, duke nisur nga ora 16:45.