AlbanianSport.com 23/08/2018 17:05
ASNN – Ish-presidenti i Federatës Braziliane të Futbollit u përfshi në skandalin e korrupsionit në FIFA. Gjykata federale e SHBA ka dënuar Zhose Maria Marin, ish-kreun e Federatës Braziliane të Futbollit (CBF), me 4 vjet burg për përfshirjen në skandalin masiv të korrupsionit të FIFA-s. Marini u shpall fajtor më 22 dhjetor 2017 në lidhje me rreth 6.6 milionë dollarë të marra në formë ryshfeti nga kompanitë e marketingut të sporteve në këmbim të kontratave për të transmetuar turnetë e mëdha si “Copa America” dhe “Copa Libertadores”.
Ai ishte një nga shtatë zyrtarët e FIFA-s që u arrestuan në një hotel luksoz në Zyrih më 27 maj 2015 dhe një nga dy të pandehurit të dënuar në gjyq në Shtetet e Bashkuara në lidhje me skandalin që turpëroi botën e futbollit. Ish-presidenti i Federatës Braziliane të Futbollit, u dënua për 6 akuza, ndër to për shpërblim të pabazuar, pastrim parash dhe mashtrim bankar. Prokurorët amerikanë kishin kërkuar një dënim prej 10 vjet burg dhe një gjobë prej 6.6 milionë dollarë. Por avokatët mbrojtës, duke përmendur moshën e tij dhe shëndetin e dobët, kërkuan një dënim prej vetëm 13 muajsh.
Marini kaloi 5 muaj në një burg në Zvicër para se të ekstradohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas skandalit të korrupsionit në FIFA, 42 zyrtarë e drejtues të marketingut dhe kompanive sportive, u paditën për krime të korrupsionit që arrinin në më shumë se 200 milionë dollarë. Nga këta të akuzuar, tre prej tyre kanë vdekur tashmë dhe 22 kanë pranuar fajësinë. Dy janë dënuar, duke përfshirë Marinin, dhe një rezultoi i pafajshëm. 14 të tjerë janë duke u gjykuar në vendet e tyre.