AlbanianSport.com 22/08/2018 16:35
ASNN – Pas Tiranës, rënia e Vllaznisë në nivelin e dytë të Kampionatit Kombëtar ishte një tronditje e dytë për futbollin shqiptar. Dhe sot, klubi kuqeblu ka prezantuar edhe drejtorin e ri sportiv të klubit, që do të jetë specialisti i njohur me përvojë ndërkombëtare, turku Engin Fërat. Në konferencën për shtyp të mbajtur në Shkodër, ai ka shpalosur edhe vizionin e tij për këtë klub. I pritur prej ditësh, ka ardhur më në fund edhe momenti i prezantimit zyrtar për turkun Engin Fërat si drejtori i ri sportive i Klubit të Futbollit “Vllaznia”.
Dhe specialisti i njohur me përvojë ndërkombëtare e ka të qartë se çfarë duhet të ndryshojë në fillim. “Kam ardhur vite më parë në Shkodër dhe tani që jam kthyer, e kam parë qytetin shumë më të bukur dhe të këndshëm, – thotë ai. – Ky është një qytet që e do futbollin, jeton për futbollin, por ajo që kam vërejtur prej 4-5 ditësh që jam këtu, është se kam parë dhe kam ndjerë shumë trishtim në këtë aspekt. Trishtim i natyrshëm për rënien e skuadrës një kategori më poshtë dhe besoj që pikërisht nga këtu duhet ta nisim punën tonë.”
“Dhe këtë nuk mund ta bëj vetëm unë apo drejtuesit e klubit, por të gjithë së bashku, prandaj do të bëj apel për kontributin e gjithsecilit, përfshi këtu edhe median, që është shumë e rëndësishme për ndryshimin e atmosferës dhe mendësisë”, – ka vijuar Fërati, i cili i ka të qarta synimet e tij me kuqeblutë. “Puna jonë konsiston në planet afatshkurtëra dhe afatgjata, – theksoi turku. – Në planin afatshkurtër, synimi është një dhe i thjeshtë: Të rikthehemi sa më shpejt aty ku e kemi vendin, midis më të mirëve të futbollit shqiptar.”
“Në planin afatgjatë, ne duam të shfrytëezojmë kapacitetin që ofron ky qytet, sepse ka shumë talente këtu, por edhe të shkojmë më larg, të shkojmë dhe të kthehemi në pjesëmarrjet tona në Kupat e Evropës”, – shtoi ai. Megjithatë, 48-vjeçari turk kërkon bashkëpunim nga të gjithë faktorët. “Kur erdha këtu, e mendoja më të lehtë punën që më priste, por e shikoj tani që është një punë shumë më e madhe, – ka thënë Fërati. – Prandaj duhet përkushtimi i të gjithëve, për t’u kujdesur për të gjitha aspektet e punës sonë.”
“Së pari, duhet të përqendrohemi tek skuadra jonë e të rriturve, sepse, siç e thashë, na duhet rikthimi në Kategorinë Superiore, pastaj do të vijojmë me ristrukturimin e klubit, duke nisur nga marketingu e duke zbritur deri tek akademia e të rinjve. Ne nuk mund t’i bëjmë gjërat si në Bundesligën gjermane, sepse nuk kemi kushtet e tyre financiare, por do t’i bëjmë gjërat hap pas hapi, duke ecur para”, – ka përfunduar drejtori i ri sportiv i Vllaznisë, Engin Fërat.