AlbanianSport.com 18/08/2018 23:10
ASNN – Takimi i 3-të, i vlefshëm për javën e parë të Kategorisë Superiore, ka qenë ai midis Tiranës dhe Kamzës, që u luajt në mbrëmje në Stadiumin “Selma Stërmasi” në kryeqytet. Dhe rikthimi i bardhebluve në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar është mbyllur me një zhgënjim, pasi Kamza ka fituar me një gol minutën e fundit të kohës së rregullt.
Ndonëse Tirana e ka dominuar takimin, duke bërë një vëllim më të madh loje dhe duke patur raste për shënim, është portieri mik, Avdyli, që për më tepër është edhe një “ish”, ai që u ka mohuar golin bardhebluve. Tirana është pranë golit në minutën e 26-të, kur harkimi i Erando Karabacit devijohet nga Turtulli, por ndërhyn në dy kohë gardiani i portës së Kamzës e më pas largon Teqja.
Pjesa e parë do të mbyllet me një tjetër rast për bardheblutë, por shtylla e djathtë pingule e portës së miqve i mohon Tiranës golin e epërsisë. Devijimi i Turtullit përfundon në shtyllë, në një çast të pafat për bardheblutë. Avdyli e shpëton nga një gol i sigurt portën e Kamzës edhe në minutën e 71-të, kur Karabeci harkon një top në zonë, dhe Turtulli e prek pak me kokë.
Por portieri mik është i vëmendshëm, duke e larguar jashtë kuadratit, për një goditje këndi. Dhe nëse një “ish” si Avdyli u ka mohuar golin, do të jetë një tjetër “ish”, Sebino Plaku, ai që ka ndëshkuar Tiranën në sekondat e fundit të kohës së rregullt, duke i dhënë Kamzës 3 pikë të arta në këtë nisje të sezonit. Pavarsisht 5 minutave shtesë, Kamza mbrohet mirë dhe merr 3 pikë të arta në premierën e këtij sezoni, ndërsa Tirana zhgënjen në shtëpi.