AlbanianSport.com 18/08/2018 21:00
ASNN – Kastrioti ka marrë një fitore minimale, por mjaft të vyer të shtunën pasdite në Gjirokastër, duke mposhtur me një gol të vetëm Luftëtarin vendas në takimin e dytë të javës së parë të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Topi i parë i kësaj sfide të fillimisezonit në Stadiumin “Gjirokastra” do të ekzekutohet simbolikisht nga Bella.
Në fakt, fitorja e krutanëve ishte përkundër rrjedhës së lojës, pasi gjirokastritët e dominuan pjesën e parë, duke qenë pranë golit, por pa e gjetur dot atë. Rastet nuk kanë munguar për bluzinjtë dhe pasti më i mirë ka qenë për Rapon, i cili godet lehtë dhe portieri mik pret pa problem. Ndërsa gjithçka që Kastrioti ka për t’u përmendur në pjesën e parë, është një goditje nga larg që zotërohet në dy kohë nga portieri vendas.
Pavarsisht përpjekjeve të Luftëtarit, pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura, ndërsa e dyta do të ketë një tablo krej tjetër, pasi do të jenë krutanët më kërkues dhe dominues. Ata do të kenë fillimisht një pretendim për një 11-metërsh, të mohuar nga gjyqtari, ndonëse pamjet televizive duket se u japin të drejtë miqve. Fati i kësaj ndeshjeje do të vendoset nga episodi i minutës së 70-të.
Kastrioti do të fitojë të drejtën e një 11-metërshi. Mziu nuk gabon nga pika e bardhë dhe shënon golin që do t’u japë krutanëve epërsinë. 20 minutat e mbetura do të administrohen nga skuadra e drejtuar nga trajneri Elvis Plori dhe Kastrioti merr fitoren dhe 3 pikët që shënojnë një nisje të mbarë të sezonit, ndërsa Luftëtari e nis me zhgënjimin e parë në shtëpi.