AlbanianSport.com 17/08/2018 22:25
ASNN – Penja Deportivo është një skuadër që mund të mos e kishim dëgjuar kurrë ndonjëherë, sikur të mos ishte për një aspekt të veçantë të ekzistencës së saj. Bëhet fjalë pikërisht për fanellën e kësaj skuadre, që duket se do të jetë më e veçanta e këtij sezoni futbollistik anembanë globit.
Teksa jetojmë në epokën e komercializmit të skajshëm, edhe dizenjot e fanellave të futbollit kanë sfiduar fantazinë njerëzore. Fanella e re e kësaj skuadre pasqyron Ibizën, ishullin e famshëm turistik që përfaqësohet nga ky klub futbolli. Janë të shumtë dhe të njohur Di-Xhejt që vijnë në Ibiza gjatë muajve të verës.
Dhe ata kanë gjetur vend në fanellën e re të klubit. Mbetet për t’u parë sesa fatsjellëse do të jetë fanella e re për skuadrën që militon në kategorinë e 4-t të Kampionatit Spanjoll të Futbollit dhe që është ngjitur vetëm 3 herë në Kategorinë e 3-të, duke u kthyer menjëherë një kategori më poshtë në përfundim të sezonit.