AlbanianSport.com 16/08/2018 22:15
ASNN – Është përpjekur deri në fund dhe ka qenë shumë pranë, por nuk e ka gjetur atë golin që do të nënkuptonte kualifikimin për në fazën tjetër të Ligës së Evropës. Kukësi ka fituar 2-0 të enjten në ndeshjen e kthimit, që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, por është eliminuar përballë Torpedos së Kutaisit, që e kishte fituar 5-2 ndeshjen e parë në shtëpi.
Sa afër, sa larg… Kështu ka ndodhur të enjten në mbrëmje me Kukësin, që ka fituar 2-0 ndaj Torpedos së Kutaisit, në takimin e zhvilluar në Stadiumin “Elbasan Arena”, por kjo nuk i ka mjaftuar për të vazhduar aventurën kontinentale. Pavarisht humbjes në ndeshjen e kthimit të turit të 3-të të Ligës së Evropës, që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, fitorja 5-2 e arritur në ndeshjen e para një jave në shtëpi u ka mjaftuar gjeorgjianëve të kualifikohen për më tej.
Siç mund të pritej, edhe me një deficit prej 3 golash që rëndonte nga ndeshja e parë, Kukësi e ka nisur lojën duke ushtruar presion mbi skuadrën kundërshtare, por gjithçka mund të përmendet nga 10 minutëshi i parë janë dy gjuajtje nga jashtë zone të verilindorëve, që nuk krijojnë edhe aq problem për portën gjeorgjiane. Gjithçka do të ndizet në intervalin midis minutës së 15-të dhe asaj të 20-të, me Kukësin që fillimisht ndëshkohet nga një vendim i diskutueshëm për një pozicion jashtëloje.
Më pas janë miqtë që rrezikojnë, por bllokon mbrojtja kukësiane, ndërsa në krahun tjetër, Melo godet bukur diagonalisht, por topi përfundon jashtë. Loja është hapur dhe menjëherë është Torpedo që kërkon të godasë, por portieri i Kukësit tregohet i kujdesshëm dhe largon rrezikun. Megjithatë, presioni i Kukësit do të japë fryte në minutën e 28-të, kur Rexhinaldo do të fitojë me zgjuarsi një 11-metërsh, të cilin ai vetë do ta marrë përsipër dhe do ta shndërrojë me sukses në gol, duke u treguar i saktë nga pika e bardhë.
Kukësi beson më tepër tek përmbysja dhe vazhdon të ushtrojë presion, ndërsa rrezikon të ndëshkohet në prapavijë, siç ndodh në minutën e 39-të, kur gjeorgjianët shënojnë, por goli i Hlinkës anulohet, me të drejtë, për pozicion jashtëloje. Pavarsisht përpjekjeve të Kukësit, pjesa e parë është mbyllur me epërsinë minimale të tij, ndërsa edhe pjesa e dytë do të nisë me ekipin shqiptar më kërkues, por të paqartë apo të pasaktë në finalizim.
Ashtu siç do të ndodhë fillimisht me Melon në minutën e 49-të, apo me dy raste të njëpasnjëshme të Allës dhe Dzarias, në minutat 64 dhe 66. Megjithatë, Kukësi do të këmbëngulë dhe do të jetë sërish mozambikasi Rexhinaldo që do të fitojë zgjuarsisht një tjetër 11-metërsh dhe do të jetë sërish ai që do të ekzekutojë, duke i çuar shifrat në 2-0. Kukësi do të shtyjë përpara dhe do të japë gjithçka për ta gjetur atë gol të 3-të që do të nënkuptonte kualifikimin, por pa e gjetur dot dhe mbyllet me shifrat 2-0 kjo sfidë dhe është Torpedo e Kutaisit që shkon më tej.